Në një aksident detar i cili ndodhi sot në gjirin e Bokës së Kotorit, afër Lushticës, sipas informatave jozyrtare të portalit CdM, një person ka vdekur dhe disa janë lënduar. Gazeta malazeze “Vijesti” shkruan se kanë pësuar dy persona.

Siç ka thënë për CdM drejtori i Drejtorisë për Siguri Detare, Safet Koçan, aksidenti ka ardhur për shkak të ndeshjes së një jahti motorik me një anije me vela, transmeton Insajderi.com.

“Aksioni i shpëtimit të të lënduarve është në vazhdim. Është angazhuar edhe një helikopter”, ka thënë shkurt Koçan për CdM.

“Vijesti” shkruan se aksidenti ka ndodhur rreth tetë mile në juglindje të gjirit Oblatna në Trashta, rreth orës 12. Gazeta pretendon se në vendin e ngjarjes janë dërguar anijet e Drejtorisë për Siguri Detare SAR-1 dhe SAR-2, ndërsa në aksion është përfshirë edhe një helikopter i MBP-së, si dhe Shërbimi i Mbrojtjes dhe Shpëtimit i Komunës së Tivatit, pjesëtarët e të cilës janë rrugës për në vendin e aksidentit.

Ky është aksident i dytë për një javë në det. Javën e kaluar në Ulqin kanë vdekur nëna me të birin, shtetasit slloven, kur “banania” e cila ishte e lidhur me një skuter, e në të cilën ishte e tërë familja, është  goditur nga një anije e cila  transportonte turistë. Vajza dhe babai janë lënduar rëndë në këtë aksident.

Veritas.com.al/