Nga Frrok Çupi

Dje në mesditë, kur delegatët e Asamblesë së Përgjithshme të NATO-s nisën të dalin nga sallat e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, pamja m’u bashkua me një veprim të frikshëm; dukej sikur sapo ishin liruar nga një kurth dhe po vraponin që të shpëtonin. Teksa nxitonin pa parë rrotull, dikush lironte kravatën, dikush hiqte xhaketën dhe e vinte në dorën tjetër të çantës, dikush djersinte me kravatë e me xhaketë, por ama nxitonte përkundër sallës së Pallatit të Kongreseve. Si të ishin zënë ngushtë tre ditë me radhë.
Jo veç të nxehtët që mbuloi asfaltin e bulevardit të Tiranës (i nxehtë i parakohshëm sidomos për njerëz të Atlantikut Verior), i bëri këta njerëz të lëshoheshin sa më shpejt larg Pallatit. Pra, jo veç të nxehtët ishte shkak. Rrethimi policor e ushtarak i Pallatit të Kongreseve, me siguri që i kishte bezdisur edhe delegatët deri në pikën saqë ta prisnin lëshimin si një akt çlirimi. Aq më shumë rrethimi ushtarak i Pallatit, kishte bezdisur qytetarët e Tiranës për tre ditë me radhë; askush nuk lejohej të kalonte aty pari. Në një qytet si Tirana, i kthyer në një konvikt të madh, ku jetojnë njerëz të munduar prej ngushticave dhe betonit pa fund. Madje, edhe nëpër tarraca vëzhgonin ushtarakë me dylbi…
Gjithë skena i ngjante një kurthi real.
Asambleja e NATO- s, si për ironi mbahej në selinë e ndërtuar nga diktatura komuniste shqiptare, me e egra diktaturë kundër NATO-s dhe kundër Perëndimit dhe kundër njeriut. NATO-s këtu i zihet fryma.
Kurthi bëhej edhe më i disafishtë, edhe më me kuptim përmbajtjeje se sa forme. Pse?!
E para,
sepse u krijua ideja se NATO është organizata që jep siguri veç aq sa siguron Asamblenë e vet brenda një pallati të ndërtuar në një epokë të Luftës së Ftohtë. Edhe këto tre ditë, veç selia e Pallatit të Kongreseve ka qenë e siguruar, pjesa tjetër e vendit ka qenë krejt në duar të pasigurisë. Në momentin kur kryeministri i Shqipërisë po fliste për sigurinë brenda sallës, një burrë mbeti i vrarë me thikë po në Tiranë. Në çastin kur nisi mbledhja e Asamblesë, gazeta italiane “La Republica”, shkruante nën këtë titull “Drogë dhe armë me avionë nga Shqipëria”. “Hetimet e konfirmojnë këtë: deltaplanë, helikopterë të vegjël sportivë të aftë të kapin distanca të mëdha dhe një shpejtësi 100 km në orë, duke bërë transport nga përtej Adriatikut”, shkruan gazeta. Në njërën prej tre ditëve kur në Tiranë zhvillohej Asambleja e NATO-s, në Bari të Italisë u kapën 1 ton e dyqind kilogram armë dhe drogë të transportuara nga Shqipëria. Operacioni policor italian u kodua “Iliria” , një ironi tjetër për historinë e lashtë të këtij vendi të quajtur “Iliri”, që tani bota po e konsideron jo denjësisht Iliri, por “liri për krimin”. Edhe gazeta londineze “Daily Mail”, gjatë zhvillimi të Asamblesë, lëshoi alarmin se “po vijnë shqiptarët”. 18 qytetarë shqiptarë u kapën duke hyrë ilegalisht në Angli. Mijëra shqiptarë i janë drejtuar Europës për migrim; shumica ndjehen të pasigurt e të frikësuar për të jetuar në Shqipëri.
Asambleja e NATO s dhe vetë Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior, këtu në Tiranë u zu në grackë. Teksa i jepte botës mesazhe sigurie, në fakt këto tingëllonin fals, përderisa rreth pallatit ku mbahej mbledhja vriteshin e frikësoheshin njerëz, përreth këtij pallati projektohej dhe realizohej trafik armësh e droge në drejtim të Perëndimit. NATO, qysh prej fillimit, ka marrë për detyrë ta mbrojë Perëndimin.
E dyta,
Asambleja e NATO s, edhe pse në mes armiqsh, nuk e vuri gishtin mbi armikun e saj dhe të popujve. NATO, vetë, vazhdon të mendojë njësoj si në momentin kur u krijua, të mendojë se qëllimi i saj është: 1. Të mbajë rusët jashtë 2. Amerikanët brenda, dhe 3. Gjermanët nën këmbë. (Sipas fjalimit të të parit sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Lord Ismaj, ditën e inaugurimit të NATO-s.)
Por tani armiku ka ndryshuar, ashtu si edhe vetë objekti i NATO-s. Tani armiku i popujve është oligarkia. Shqiptarët, vendi i të cilëve mbajti tre ditë Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, po vuajnë rëndë nga varfërimi që po i bëjnë oligarkët qeveritarë, mafiozë dhe kriminelë. Ekranet televizive shfaqin përditë pamje të ulëta, ku njerëz të zhveshur nga dinjiteti qajnë me lot para turmave pse nuk kanë mundësi të ushqejnë familjarët. Korrupsioni i ardhur vertikalisht nga lart, ka hyrë në kockë të njeriut dhe të shoqërisë.
Dje, pikërisht në çastin kur po mbahej Asambleja në Tiranë, kryeministri i Anglisë, Cameron, deklaroi botërisht se Shqipëria është vendi “dëshpërimisht i varfër”..
Një popull kaq i varfëruar nuk mund të shërbejë si garanci për NATO-n, përkundrazi. NATO u zu në kurth në Tiranë, duke i bërë homazhe një qeverie që e ka çuar popullin deri në urrejtje, në urrejtje për vete dhe për të tjerët. NATO nuk arriti të thotë dje në Pallatin e Kongreseve se “ne luftojmë kundër armikut të popullit” i cili “mund të mos jetë veç në Rusi ose në Libi, por edhe këtu në qytetin tuaj!”.
E treta,
konflikti i dukshëm dhe i padukshëm.
Teksa zhvillohej Asambleja e NATO-s, shqiptarët përmes ekraneve shikonin se si rrinin në krah të njëri tjetrit dy zyrtarë të lartë armiq. Kryeministri Rama mezi pret t’i haje kokën kryetarit të Parlamentit, Meta; të dy koka të të njëjtit koalicion qeverisës. Por është një kosto e lartë për të qeverisurit. Shqiptarët këtë e dinë me ekzaktësi, ndërsa NATO nuk e shikon. Edhe nuk mund ta shikojë, veçanërisht kur është e kapur në një kurth. Kryeministri u lavdërua për “vëllazërinë fetare” dhe asamleistët duartrokitën me naivitet. Ku ta dinin ata se ky, me “vëllazërinë” po i jepte sinjale armikut Meta se “duhet të bëhesh si feja, tolerant me mua, nëse nuk do të të zhduk!”.
NATO, që nga Tirana, manifestoi një konflikt tjetër, por ky i dukshëm. Aty u zhvillua lufta verbale mes dy shteteve, Azerbajxhanit dhe Armenisë, dy shtete kufitare, ish-anëtare të Bashkimit Sovjetik. Konflikti shpërtheu për territorin e Nagorno Karabak. Kjo krahinë, që zyrtarisht i përket Azerbajxhanit, ka dalë nga një luftë e egër në vitin 1994. Dje u zgjua fantazma e luftës së brendshme mes shteteve, u zgjua mu në sallën e NATO-s. Luftë, përse? Për motivet e vjetra të territoreve…
Zgjerimi i NATO-s në 28 shtete, është konsideruar i pamenduar prej filozofëve dhe analistëve të Perëndimit. “Aleanca është zgjeruar në mënyrë të pazgjuar nga anëtarësia e saj origjinale”, shkruan Viktor Davis Hanson, historian dhe autor në Universitetin e Stenfordit. Aq më tepër zgjerimi në vendet ish komuniste, me idenë se ” i duhej marrë sa më shumë terren Rusisë së Putin”.
Por akoma më i rrezikshëm bëhet kurthi, kur njerëzit shikojnë në Tiranë se si NATO bie në duar të ish-komunistëve. Gjithë “entourage” shqiptar i Asamblesë ishte i llojit të diktaturës komuniste. O bij të vetë diktatorëve me emër, o të përzierë në pushtetin gjakatar të diktaturës, o pasionantë të atij regjimi… Kështu u shfaq entourage i Asamblesë në Pallatin e Kongreseve…

… Kur mbaroi Asambleja dje, i pashë delegatët që linin sallën, nxitonin dhe lironin kravatat. Mu duk se u lëshuan nga një siklet i madh.