Nga: Fajzi Maloku, Prishtinë/

I dashuri profesor Dilaver,

Vajza jonë Fatmirja, 37 vjeçe, vdiq në Spitalin Ushtarak të Tiranës, mëngjesin e ditës së premte të datës 7 korrik 2017.

Fatmirja jonë e dashur nuk mundi t’i përballojë lëndimet që i mori në aksident rrugor.

Megjithatë familja ime Maloku, por edhe familja Bajgora, ku ishte e martuar Fatmirja, ndjejmë obligim moral t’ju falënderojmë juve personalisht, mjekët: Dr.Luan Nikollari, Dr.Ergen Hodaj si dhe kol. Dr. Rushan Muhameti, për angazhimin profesional të nivelit të lartë, por mbi të gjitha, për mikpritjen vëllazërore që iu ofrua në radhë të parë Fatmirës si dhe njerëzve tanë që qëndronin pranë Fatmirës.

Ata, doktorët, bënë gjithçka nga ana e tyre, por jo vetëm ata, por i gjithë stafi i spitalit.

Vajza jonë Fatmirja e ndjeu ngrohtësinë e vëllezërve dhe motrave të gjakut të saj, dhe nuk pati as frikë e as nuk i mbeti merak ta kishim drejtuar dikund tjetër, siç na preferonin këtu në Prishtinë, bashkëpunëtorët e shkijeve, Beogradin ose Shkupin!

Ne ishim të sigurt se askush tjetër nuk t’i shëron plagët sikur doktorët e Nënlokës Shqipëri.

Doktorët patën konsideratë, duke e kuptuar drejt se te dy familjet Maloku dhe Bajgora jemi familje skamnore, dhe gjithë këto sherbime për bijen tonë Fatmirën i mbuluan vetë.

Por dihet se roli juaj në këtë rast ishte i veçantë.

Prandaj, me gjithë dhimbjen që kemi për Fatmirën tonë, ne ju falënderojmë nga zemra për gjithë atë që ju e bëtë!

Qofshi me shëndet dhe gëzime në familjet tuaja.

Po të kishim adresa interneti, do t’i falënderonim të gjithë një nga një, por falënderimin po ua përcjellim përmes jush.

Në emër të dy familjeve: Maloku dhe Bajgora, me shumë respekt për Ju,

Fazli Maloku- Prishtinë.

___

*Letra është shpërndarë nga mjeku Ben Gjata