Vlora është tronditur sërish nga një ekzekutimi në mes të qytetit, ndërkohë që rrugët ishin ende të populluara nga njerëzit. Delon Troqe, 38 vjeç, nga Vlora, është ekzekutuar para derës së biznesit të tij rreth orës 21:30, ndërkohë që me të ndodheshin edhe familjarët, britmat e të cilëve dhe ulërimat rrëqethën kalimtarët, të cilët lajmëruar menjëherë policinë. Ndaj 38-vjeçarit është qëlluar mbi 15 herë me breshëri kallashnikovi nga dy persona, ndërsa një plumb që e ka prekur në kokë dyshohet të ketë qenë fatal për të.

Autorët janë larguar me makinën tip Audi me targa të vjedhura në drejtim të lagjes 10 korriku dhe më pas drejt zonës së Sherishtës së Vlorës, ku dhe dogjën mjetin. Mjeti është djegur plotësisht ndërsa brenda tij janë gjetur edhe 2 armë tip kallashnikov, që mendohet se janë përdorur gjatë ekzekutimit të 38-vjeçarit.

Troqe ishte pronar i një servisi makinash në lagjen ‘Pavarësia’, ndërsa më herët para se të hapte servisin e tij, 38-vjeçari punonte me turiste me gomone duke i dërguar në Karaburun ose ishullin e Sazanit. Delon Troqe ishte kushëri i Ervis Troqes, i zhdukur tre vite më parë, në verën e vitit 2018 në Vlorë.

Delon Troqe është një person me precedent të mëparshëm penal, para pak ditësh ishte përfshirë në një sherr me mjete të forta në qytetin e Vlorës, ndërsa ka qenë i përfshirë edhe në sherre të ndryshme kohë më përpara. Pistë hetimi për policinë janë pikërisht këto sherret dhe konflikte të mëparshme, por edhe veprimtaria e tij në Spanjë, nga e cila kishte vetëm dy javë që ishte kthyer.

Për zbardhjen e plotë të ngjarjes policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së bizneseve në zonë, ndërsa ka ngritur disa postblloqe në hyrje dhe në dalje të qytetit për kapjen e autorëve. Gjithashtu janë shoqëruar në Komisariat disa persona, të cilët ishin të pranishëm gjatë ekzekutimit të 38-vjeçarit.