Koment/ Kujt t’ia dorëzojnë raportin e KiE? Përderisa PD e Bashës ka dalë nga sistemi politik, atëherë BE kërkon opozitën reale.

Luigi Soreca, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, i ka dorëzuar progres raportin ditën e sotme Rudina Hajdarit, kryetares së Komisionit të Integrimit.

Rudina Hajdari ishte deputete e PD-së, që nuk iu përgjigj thirrjes së partisë së saj për djegien e mandatave.

“Jam i lumtur që japim këtë rekomandim pozitiv për Shqipërinë, i cili është pa kushte, topi është në fushën e këshillit që duhet të marrë një vendim lidhur me çeljen e negociatave të Shqipërisë. Të gjitha palët duhet të tejkalojnë ndasitë dhe të jenë në një drejtim të përbashkët sa i takon integrimit”, tha Soreca, kur i dorëzoi Hajdarit edhe progres-raportin, që u bë publik gjatë ditës së djeshme.

Ambasadori i BE në Tiranë kërkoi ndihmën dhe bashkëpunimin e Kuvendit, në realizimin e reformave që i kërkohen vendit tonë.

“Sa i takon reformës zgjedhore, ne kemi ekspertët në dispozicion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën për ju. Tjetër është reforma në drejtësi dhe roli i parlamentit në këtë reformë është i domosdoshëm. Kjo reformë është patjetërsueshme dhe duhet të vazhdojë”, tha Soreca.

Veritas.com.al/