Një muaj para mbërritjes në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump, që ka premtuar se do do t’i shfuqizojë rregullat mjedisore, Barack Obama ndaloi të martën çdo sipërmarrje të re të nxjeŕrjes së gazit apo naftës nga zonat e gjera të Arktik.
Ky vendim i presidentit në ikje, i kompletuar nga nje veprim i ngjashëm edhe nga Kanadaja i njoftuar në të njëjtën kohë, pritet të ngjallë një reagim të egër në kampin republikan, dhe me gjasa një guerrilie juridike.
“Sot, në parteneritet me fqinjët dhe aleatët tanë të Kanadasë, SHBA nisin një etapë të re historike për (…) të mbrojtur ekosistemin e Arktikut”, nënvizoi Obama në një komunikatë për shtyp, duke përmendur gjithashtu nevojën për të reduktuar varësinë nga energjitë fosile për të luftuar kundër ndryshimeve klimatike.
Vendimi i marrë të martën mbështetet mbi “një bazë të fortë legale” dhe nuk mund të vihet në diskutim nga një president tjetër, ka siguruar një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
Obama, i cili e bëri mbrojtjen e mjedisit një nga prioritetet e mëdha të dy mandateve të tij, është bazuar në një ligj të 1953 (Outer Continental Shelf Lands Act) për të vepruar vetëm pak javë para largimit të tij.
Ky vendim i fundit u jep presidentëve fuqinë për të mbrojtur ujërat federale nga çdo shfrytëzim i hidrokarbureve. Ky vendim është përdorur nga shumë prej paraardhësve të tij, si Duajt Ajzenhauer dhe Bill Klinton.
Mbetet të shohim se ç’do të ndodhë me presidencën e re, pasi Trump, në shumë raste, ka vënë në dyshim realitetin e ndryshimeve klimatike dhe ka premtuar se do t’i japë fund “ndërhyrjes” së Agjencisë amerikane të mbrojtjes së mjedisit (EPA) në “jetën e amerikanëve”.
Ai emëroi për të drejtuar këtë agjenci Scott Pruitt, ministër i Drejtësisë së Oklahomës, që ka qenë në krye të betejës juridike për këto çeshtje kaq të ndjeshme.
/Veritas.com.al/