Nga Syrine Attia/

Mes vetove dhe rezolutave të votuara – një retrospektivë mbi vendimet e Këshillit të sigurimit të OKB-së gjatë konfliktit sirian.

Këshilli i sigurimit të OKB-së adoptoi, të hënën 19 dhjetor, në unanimitet, dërgimin e vëzhguesve për të garantuar mbarëvajtjen e evakuimeve të civilëve dhe rebelëve nga lagjet lindore të Alepit. Dyshimi për pozicionimin e Rusisë ka rënduar për një kohë të gjatë, por “Zoti niet” (nofka që i kanë vënë pas vetove të shumta ruse), Sergei Lavrovi, ministri rus i punëve të jashtme, tha më në fund “po”.

Që nga fillimi i konfliktit sirian, në 15 mars 2011, OKB-ja i ka shumëfishuar projekt-rezolutat përpara Këshillit të Sigurimit, për rezultate shumë të rastësishme.

Pesëmbëdhjetë rezoluta të adoptuara që nga fillimi i konfliktit:

Rezoluta e votuar në 19 dhjetor ndjek kortezhin e katërmbëdhjetë teksteve të tjera të adoptuara nga Këshilli i sigurimit për Sirinë. Pas dështimeve të shumta pas fillimit të luftës civile, teksti i parë i votuar ka qenë rezoluta 2042, e votuar në prill 2012, e quajtur “plani Annan”. I propozuar nga ish sekretari i përgjithshëm Kofi Annan, emisar i Kombeve të Bashkuara dhe i Lidhjes Arabe, ai bazohej mbi dhjetë pika themelore: dialogu politik, fundi i dhunës, vazhdimi i kursit të ndihmave humanitare, fundi i burgosjeve arbitrare, liria për gazetarët dhe liria për sirianët.

Nëpërmjet rezolutës 2043, gjithmonë në prill të 2012-ës, OKB-ja u pajis me një mandat për të mbikëqyrur pushimin e dhunës. Por ky plan paqeje dhe prania e vëzhguesve, nëse mundësuan një periudhë pushimi, nuk mundën gjithsesi të parandalonin intensifikimin e konfliktit.

Në 23 dhjetor 2012, banorë dhe mjekë të Homs-it dëshmojnë për përdorimin e armëve kimike nga regjimi gjatë sulmit të qytetit. Një zyrtar amerikan kishte paralajmëruar paraprakisht se Damasku ishte duke grumbulluar prekursorët kimik të nevojshëm për prodhimin e gazit sarin. Barack Obama kish deklaruar asokohe se përdorimi i këtyre armëve përbënte një “vijë të kuqe” për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara përballë regjimit të Bashar Al Asadit. Përballë protestave të zjarrta dhe kërcënimeve për ndërhyrje ushtarake në Siri, Rusia votoi pro rezolutës 2118, e adoptuar në shtator 2013, duke urdhëruar shkatërrimin e arsenalit kimik sirian, por edhe bashkëpunimin e qeverisë dhe forcave të armatosura me Organizatën për ndalimin e armëve kimike. OKB-ja procedoi më pas, në rezolutën 2235, me hapjen e një strukture hetimore në Siri, që do të merrej me në shqyrtimin e përdorimit të armëve kimike.

Megjithatë, ndikimi i këtyre rezolutave në terren ishte thjesht minimal. Tekstet e ndryshme nuk parashikonin sanksione në rastin e mosaplikimit të tyre dhe mjaftoheshin me një dënim moral të krimeve të kryera nga regjimi dhe nga grupet e armatosura të pranishme.

 

Një konflikt i shtruar nga vetoja ruse dhe kineze

Rezolutat më shtrënguese, të propozuara nga Këshilli i sigurimit të OKB-së, kanë qenë pikërisht ato që janë hedhur poshtë. Në total, shtatë rezoluta për Sirinë kanë qenë objekt vetoje.

Vetëm disa muaj pas fillimit të konfliktit, në tetor 2011, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar tentuan të adoptohej një rezolutë që dënonte regjimin sirian dhe shtypjen e përgjakshme të demonstratave. Teksti i propozuar synonte të shmangte eventualitetin e një vetoje ruse, duke propozuar “masat e synuara” në vend të sanksioneve, në rast të vazhdimit të politikës represive të regjimit. Por kjo nuk e pengoi ambasadorin rus të deklaronte se “kërcënimi me sanksione ishte i papranueshëm”. Rusia dhe Kina, që të dyja anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, vunë veton e tyre, duke bllokuar kështu çdo iniciativë të re përpara 2012-ës.

Në 4 shkurt 2012, përballë intensifikimit të konfliktit, Këshilli i sigurimit hodhi për votim një projekt-rezolutë që kërkonte largimin e presidentit sirian, Bashar Al Asad. Kjo rezolutë ishte modeluar në planin e daljes nga kriza të Lidhjes arabe. Për të dytën herë në vetëm katër muaj, Kina dhe Rusia zgjodhën t’i kundërviheshin zbatimit të saj. Në korrik të të njëjtit vit, shtrëngimi i sanksioneve ndaj regjimit sirian në rast vazhdimi të përdorimit të armëve të rënda kundër opozitës dhe zgjatja e misionit të vëzhguesve në terren, u hodhën përsëri poshtë. Rusia e konsideroi këtë rezolutë si një mbështetje për opozitën, që ajo e konsideron si “terroriste”. Ky është fundi i planit Annan.

Në maj 2014, përballë kokëfortësisë ruse, bashkësia ndërkombëtare vendosi të zgjedhë pro një leve juridike. Pas thirrjeve të shumta të komisionerit të lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay, për t’iu drejtuar Gjykatës Penale Ndërkombëtare, u propozua një projekt-rezolutë nga Franca. Gjykata penale ndërkombëtare duhej të gjykonte krimet e luftës të kryera nga të gjithë aktorët, për të kënaqur Rusinë që bënte thirrje ç që prej fillimit të konfliktit për t’i konsideruar regjimin e Bashar Al Asadit edhe opozitën në të njëjtën mënyrë. Megjithatë, edhe ky projekt u hodh poshtë nga Kina dhe Rusia. Kjo veto kontribuoi në forcimin e klimës së pandëshkueshmërisë që rëndonte mbi konfliktin sirian, që kish shkaktuar deri në atë datë mbi 150 000 të vdekur.

Në tetor 2016, Franca dhe Rusia u përballën për mjetet e arritjes së një armëpushimi. Propozimi francez mbështeste përfundimin e inkursioneve dhe propozimi rus kërkonte përfundimin e luftës pa përmendur bombardimet. Gjithashtu, aviacioni rus ishte angazhuar pranë pushtetit  sirian që nga 30 shtatori 2015. Vetoja ruse iu kundërvu edhe njëherë tjetër propozimeve perëndimore për paqësimin e konfliktit. Nga ana tjetër, kundër-propozimi rus u hodh poshtë nga nëntë anëtarë të Këshillit të Sigurimit, ndër të cilët Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në dhjetor 2016, vetot ruse dhe kineze iu kundërvunë tekstit të paraqitur nga Spanja, Egjipti dhe Zelanda e Re që propozonte një armëpushim shtatë ditor në Alep. Projekt-rezoluta specifikonte se “të gjitha palët në konfliktin sirian t’i japin fund të gjitha sulmeve në qytetin e Alepit”, dhe parashikonte “përmbushjen e nevojave humanitare urgjente” duke lejuar të hyjnë ndihmat në zonat e rrethuara. Megjithatë, dobësimi i forcave rebele në momentin e propozimit i ka nxitur rusët ta refuzojnë rezolutën për arsye ushtarake stategjike.

/Veritas.com.al/