Koment/

PD dhe LSI depozitojnë kallëzim penal mbi rrëzimin e dekretit të presidentit Meta për rrëzimin e ligjit “për tatimin mbi të ardhurat”. Kallëzimi është depozituar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në Prokurorinë e Tiranës.

Sipas kallëzimit të Opozitës, i cili mban datën 26 dhjetor, rrëzimi i dekretit është bërë pa kaluar 12 orë nga administrimi në kuvend dhe opozita e cilëson një akt të paprecedentë.

“Ky akt i maxhorancës është një veprim i pashembullt paligjshmërie dhe arrogance që tregon degradimin e Kuvendit deri në atë nivel sa pamundëson bashkëjetesën parlamentare, e cila në vetvete është vepra më e rëndë penale që mund të konsumojë deputeti gjatë ushtrimit të mandatit të përfaqësimit që i ka dhënë populli. Dekreti i presidentit të Republikës i datës 20 dhjetor, nuk mund të miratohej në seancë plenare të po të njëjtës ditë, për shkak se rregullorja e Kuvendit e ndalon këtë. Maxhoranca parlamentare i ka mohuar të drejtën kushtetuese  deputetëve të opozitës që të njihen me dekretin e presidentit dhe përmbajtjen e arsyetimit që e shoqëron atë.” shkruhet në kallëzimin penal

Opozita thotë se me këtë veprim janë konsumuar “Elemente të shpërdorim detyre dhe ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Veritas.com.al/