Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi pyeti ministren e Financave Delina Ibrahimajn, nëse qytetarët do të paguajnë taksë për të kaluar në rrugën e Arbrit. gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve.
“Në kontratë thuhet që do vendoset taksa 4€ për dibranët që do kalojnë në rrugë për të ardhur në Tiranë? Dhe 4 euro të kthehet në Dibër. Është parashikuar kjo taksë? Duhet të kujtojmë se është zona më e varfër në vendin tonë”, tha deputetja.
“Ne jemi ministria e financave dhe ekonomisë, nuk bazohemi as në fjalë as në media, as në gazeta, por në kërkesa që janë zyrtare dhe për këtë kërkesë nuk ka asnjë parashikim buxhetor aktualisht. Ky është koncesion, ne kemi parashikuar pagesën e këtij koncesioni në bazë të çfarë dokumentacioni kemi aktualisht në dispozicion dhe në bazë të kontratës koncesionare”, tha ministrja e Ekonomisë.
Kujtojmë se Rruga e Arbrit, një ndër rrugët që pritet të bëjë realitet ëndrrën e dibranëve për të shkurtuar kohën e lëvizjes me kryeqytetin do hapet për qarkullim më 29 nëntor.
Do të krijojë lehtësim të lëvizjes së qytetarëve dhe më shumë aksesueshmëri për daljen në treg të produkteve të zonës.
Rruga që e ka origjinën nga Periudha Romake, do të kalojë në 10 zona dhe do të shkurtojë me rreth 70 kilometra rrugën e sotme nga Burreli.
Ky variant u shmanget në mënyrë të ndjeshme lartësive mbi 900 metra mbi nivelin e detit si dhe është varianti me kushte më të mira gjeologo-inxhinierike e hidrologjike.