Një zhvillim shumë i rëndësishëm pritet të mbahet sot në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Papa Françesku, kreu i Kishës Katolike, do të presë kryeministrin e Malit të Zi, shqiptarin nga Ulqini, Dritan Abazoviç, në një ceremoni mjaft speciale.
Siç bën të ditur gazeta më e madhe e Malit të Zi, ‘Vijesti’, Abazoviçit, pritet t’i dorëzohet një dokument i fillimit të mijëvjeçarit të parë, ku Vatikani ka kurorëzuar sundesin shqiptar të Malit të Zi, që siç dihet ka qenë një Balshë.
Siç e thekson edhe Vijesti, kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç do të jetë nga e hëna për një vizitë zyrtare dyditore në Selinë e Shenjtë, me ftesë të kreut të Kishës Katolike Romake, Papa Françeskut.
Pas audiencës me Papa Françeskun, janë planifikuar takime edhe me Sekretarin e Shtetit, Kardinal Parolin, si dhe me Sekretarin për Marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me vendet e tjera, Paul Richard Gallagher.
Sipas protokollit, është planifikuar që Abazoviç dhe delegacioni i tij të vizitojnë Bibliotekën Apostolike, ku do t’i prezantohen dy dorëshkrime me rëndësi historike për Malin e Zi.
E para është korrespondenca e mbretit Mihail Vojislavljeviç të Duklës me Papa Gregori VII, e datës 9 janar 1078, ndërsa e dyta është origjinali i veprës monumentale të Kryepeshkopit Andrija Zmajeviç “Kronika e Kishës”, dorëzuar në Vatikan në 1694. Kryeministri Abazoviç do të jetë zyrtari i parë shtetëror i Malit të Zi të cilit do t’i prezantohen dokumentet e lartpërmendura, të zbuluara në dy vitet e fundit – bën të ditur ‘Vijesti’.
Po çfarë përfaqëson kjo ftesë e Papës për Dritan Abazoviçin?
Për ta shpjeguar më qartë: Vatikani, pas rrëzimit të Murit të Berlinit si pjesë të botës së tij në Ballkanin Perëndimor, ka pasur Kroacinë, Kosovën, Shqipërinë, e paksa, edhe Maqedoninë e Veriut, meqë është vendi i lindjes së Nënë Terezës. Por asnjë Papë nuk ka shkuar në Shkup, Beograd, apo Podgoricë, pasi Kisha Serbe i ka bërë të ditur Vatikanit se këto vende janë territor i saj. Gjë që nuk është e vërtetë, pasi së paku Kotorri, deri diku Budva, por sidomos Ulqini, Kraja dhe Tivari, janë territor i Republikës së Venedikut, pra i influencës Perëndimore.
Megjithatë, pas vitit 90, Patriarkana e Stambollit, Kisha ruse dhe ajo serbe e ndaluan që Papa të ketë influencë edhe në Bosnjë, ku një pjesë e madhe është katolike.
E Gjon Pali i Dytë, siç dihet tashmë, pas vizitës në Sarajevë shkoi në Uashington ku i kërkoi Presidentit Bill Clinton, të ndërhyjë.
Takimi i sotëm i Dritan Abazoviçit në zyrën e kreut të Vatikanit, është një zhvillim që vulos alokimin e këtij vendi të NATO-s në aleancën perëndimore. Duhet thënë se edhe Maqedonia e Veriut është në NATO, por nuk e kanë këtë marrëdhënie me Papën. As Gjukanoviçi se ka pasur deri më sot. Me shqiptarët kjo marrëdhënie është natyrale, por Abazoviç, sot më shumë se shqiptarët përfaqëson Malin e Zi. E ky është ai që quhet zhvillim cilësor. Territori i Malit të Zi, përprara se të pushtohet nga Car Dushani, ka qenë pjesë e influencës Perëndimore, e më pas u kthye në pjesë të botës serbe dhe ruse. Por që ditën e sotme, ka një simbolikë tjetër. Një simbolikë që ka rrënjë në Balshajt dhe me Nënë Terëzën që është shqiptare. Me Ibrahim Rugovën, i cili ka përqëndruar marrëdhënien me Selinë e Shenjtë si vijë Teodosi, apo edhe me qënien e komunitetit katolik, jashtë linjës së Kishës serbe në Mal të Zi.
Abazoviç, siç dihet është një musliman praktikant, e këtë e ka demonstruar publikisht, por që ka zgjedhur lidhjen e popullit dhe vendit të tij me Perëndimin. Realisht ky mund të quhet një zhvillim i rëndësishëm./Pamfleti