1300 kontenierë me mbetje që kanë hyrë në Shqipëri në vitin 2016, janë zhdukur- shkruan media italiane. Mbetjet, që thuhet se ishin të rrezikshme, janë nisur nga porti i Giaoi Tauro në Kalabri, me destinacion Maqedoninë, transit nëpër Shqipëri.

Por sipas medias, mbetjet hynë në Shqipëri dhe nuk kaluan në Maqedoni. Frika se mbetjet e rrezikshme të Kamorras të jenë “zhdukur” në tunelet ushtarake të periudhës së komunizmit, ka kapluar mediat dhe qytetarët.

Në Maqedoni ka nisur hetimi nga mediat.

Edhe prokuroria e Durrësit nisi hetimin për të njëjtën çështje, në Portin e Durrësit ku mendohet se kanë hyrë mbetjet.

Ngarkesa 1300 kontenierë, sipas “pianeta italia” kishte për destinacion landfillin Drisla në Shkup, por pasi ka mbërritur në portin e Durrësit nuk ka dalë nga territori shqiptar.

Prokuroria e Përgjithshme mohoi dy ditë më parë që të jetë përfshirë në një hetim me autoritetet italiane dhe ato maqedonase për këtë rast. Ndërsa dje prokurorët e Durrësit kanë nisur hetimet kryesisht. “Prokuroria e Durrësit ka nisur verifikimet në dt. 02.03.2017, ne baze te informacionit mediatik për kontenierët me mbetje të rrezikshme”, njofton Prokuroria e Përgjithshme.

/Veritas.com.al/