Mesnata e ditës së nesërme është afati i fundit për regjistrimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të kandidatëve për kryebashkiakë dhe këshilltarë, por Partia Demokratike është në limitet e kohës. As ditën e djeshme në mbledhjet maratonë, që prej orës 11:00 të paradites deri në 02:00 të natës me Kolegjin, kandidatët dhe Kryesinë, nuk u arrit konsenusi për mënyrën se si do të futen në garën elektorale të 14 majit. Dhe për të pasur një vendimmarrje përfundimtare që prej orës 18:00 të ditës së sotme ka nisur mbledhja e radhës e Kryesisë. Vendimmarrja e parë ka ardhur duke përcaktuar emrin për Bashkinë e Tiranës. Kur kishte pikëpyetje nëse do të kishte një kandidat në kryeqytet përballë Belind Këlliçit të ‘Rithemelimit’ Partia Demokratike tashmë ka vendosur Roland Bejkon, një gjirokastrit për bashkinë e Kryeqytetit, i cili siç duket ka fituar ‘betejen’ me pretenden tjetër Jonila Godole, e cila burime për gazetaren e Report Tv, Danjela Maloku bëjnë me dije se do të jetë kryesuesja e listës së kandidatëve për këshilltarë.
Kujtojmë se dje debate të forta u zhvilluan mes anëtarëve të Kryesisë dhe numrit 2 të partisë, Gazment Bardhi. Ky i fundit kërkon që të futen në zgjedhje vetëm me lista për këshilla bashkiakë dhe të dalin me kandidatë për kryebashkiakë vetëm në zonat ku mund të fitohet. Mbledhja e djeshme u mbyll pa një vendim, por sot do të diskutohet propozimi i Bardhit për të dalë me kandidatë vetëm në disa bashki ku kanë emra që premtojnë fitore, ose në të gjitha bashkitë të dalin me kandidatë dhe të lënë vetëm ato në të cilat është arritur konsensusi në degët lokale për të mbështetur kandidatin e primareve. Ky duket të jetë opsioni më i mundshëm, por për të përcaktuar bashkitë ku mund të dilet me kryebashkiakë, mbledhja do vijojë sot në 18:00.