Mazhoranca dhe opozita kanë gjetur akordin për të dalë me një rezolutë të përbashkët nesër, e cila dënon sulmin në veri të Kosovës. Pas ndasive të shumta një ditë më parë, sot deputetët e të dyja palëve u ulën për të dalë me një dokument final dhe duket se ja kanë arritur.

PD akuzonte PS se nuk guxonte të përmendte emrin e Serbisë në atë rezolutë, ndërkohë që bëht fjalë për 3 pika të dakordësuara.  Kuvendi i Shqipërisë mbështet nga fillimi në fund rezolutën që miratoi Kuvendi i Kosovës pak ditë pas sulmit.

Pritet që nesër në Kuvend të flasin kryeministri Rama dhe ministri i Jashtëm Hasani mbi qëndrimin që ata mbajtën në raport me Kosovën. Do të ketë një mocion me debat dhe të gjithë deputetët kanë 5 orë për të diskutuar. Kryeministri me shumë gjasë do flasë në fillim të seancës, pasi ka planifikuar një vizitë në Britani.

Rezoluta që do të miratohet nesër

Në përputhje me angazhimet Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe politikën e mbrojtjes së interesave strategjike kombëtare të përbashkëta midis Shqipërisë dhe Kosovës;

Në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj kushtetuese, si dhe të përpjekjeve për mbrojtjen e vlerave demokratike, sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon;

Thellësisht të shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal tënjë njësie terroristësh serbë në veri të vendit, më datë 24 shtator 2023;

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË:

• Mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Nr. 08-R-009të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023;

• Kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës;

• Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.

Rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës

– Duke marrë për bazë gjendjen e sigurisë nëpër të cilën po kalon vendi pas sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë ndaj sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës;

– Duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës si dhe përcaktimin dhe angazhimin shtetëror për t’i kontribuuar paqes dhe stabilitetit në rajon;

– Të vendosur që Republika e Kosovës të jetë vend i lirë, demokratik, paqedashës dhe atdhe i qytetarëve të saj, të cilëve ju garantohen të drejtat, liritë dhe barazia para ligjit;

– Të përkushtuar për të luftuar dhe parandaluar me mjete kushtetuese dhe ligjore çfarëdo veprimi dhe përpjekje për të cënuar, rrezikuar apo sulmuar rendin kushtetutes të Republikës së Kosovës;

Kuvendi i Republikës së Kosovës

1. DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të

organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës;

2. VLERËSON punën, angazhimin dhe rezultetet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë (Eulex dhe KFOR), në aksionin e përbashkët për të smbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit;

3. OFRON mbështetjen e plotë dhe të parezervë për Policinë e Kosovës në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

4. KËRKON nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën mes të gjitha komuniteteve pa dallim që jetojnë në Republikën e Kosovës;

5. INKURAJON dhe MBËSHTET pluralizimin politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë, zhvillimi i të cilit mundëson progresin demokratik dhe rrit transparencën e llogaridhënien para këtij komuniteti dhe jetëson promovimin e interesave reale të tij në Republikën e Kosovës.

6. KËRKON nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike;

7. KONSTATON nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë.