Partia Demokratike të Kosovës ka dënuar sulmin zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimin, ndaj deputetëve të kësaj partie.

Pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hundë të zgjatur si simbolikë e gënjeshtarit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nga vendi i tij shkoi hoqi letrën dhe e grisi.

Më pas deputeti Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti, derisa prapë Besnik Bislimi e goditi me shishe Lushtakun.

Ky ishte edhe fillimi i përplasjes në mes të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Krejt kjo ndodhi derisa Kurti po mbante fjalimin e tij duke treguar se qeveria ka pasur suksese në Veri.

Në reagimin e PDK-së thuhet se Bislimi ishte i pari i cili goditi me mjetë të fortë, deputetin Mërgim Lushtakun.

PDK ka kritikuar edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën, për mos-reagim adekuat pas eskalimit të situatës.

“Ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës. Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve”.