“U ula në tokë dhe në momentin që do të ngrihesha, avioni më doli nga kontrolli”.

Pas qëndresës fillestare për të mos folur, kështu e ka nisur rrëfimin piloti italian Guidi, i cili gjatë mbrëmjes së kaluar ka folur me emra për njerëzit me të cilët ka negociuar për t’u bërë transportues droge.

“Një miku im në Itali që ka qenë i dënuar për çështje droge ka takuar një shqiptar, gjithashtu i dënuar.

Më folën dhe pranova.

Do paguhesha prej shqiptarit 20 mijë euro për një rrugë në të cilën do të kaloja në Itali 200 kilogramë kanabis”, ka thënë piloti, raporton TCH.

Në dëshminë e tij, piloti italian ka dhënë emrat e njerëzve me të cilët ka bërë tregti, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur për shkaqe hetimi.

Sipas rrëfimit të tij, ai kishte fluturuar drejt Shqipërisë për të parë nga afër pistën nëse ishte e mundur apo jo ulja dhe më pas do të rikthehej. Aktualisht, prokuroria po tenton ta kthejë pilotin italian në një bashkëpunëtor të drejtësisë, ndërkohë që pohimet e tij do të duhet të provohen edhe me të dhëna të tjera që priten nga shteti italian, siç janë të dhënat e dy shtetasve të dënuar për çështje droge.

Aktualisht, piloti Guido Andrea Guidi po ruhet në një vend të posaçëm. Ai rezulton i arrestuar gjatë vitit 2006 në Itali për një aksident të ndodhur në vitin 2003.