Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka gati atë që e quan “plani i fitores” dhe pritet t’ia prezantojë Presidentit amerikan Joe Biden gjatë vizitës së tij në SHBA, këtë javë.
Zelensky ka thënë se ka ndërmend t’ia prezantojë planin edhe Kongresit dhe 2 kandidatëve presidencialë amerikanë, Kamala Harris dhe Donald Trump. Ky i fundit e ka kritikuar më herët mbështetjen amerikane për Ukrainën dhe ka vlerësuar Vladimir Putin, e megjithatë ka sugjeruar se do takojë Zelenskyn, shkruan A2.
Sipas kryeministrit hungarez, Viktor Orban, i cili u takua me republikanin në mars, ish-Presidenti kishte thënë se nuk do t’i jepte asnjë qindarkë Ukrainës nëse zgjidhej në nëntor.
Vizita e Presidentit ukrainas në SHBA, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, përkon me përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të përgatitur një paketë të re ndihmash ushtarake prej 375 milionë dollarësh për Ukrainën.
“Kemi mbërritur në SHBA. Qëllimi kryesor është të fuqizojmë Ukrainën dhe të mbrojmë njerëzit tanë. Kjo luftë mund të fitohet me një paqe të drejtë përmes përpjekjeve globale. Plani i fitores së Ukrainës do të jetë në tryezën e të gjithë aleatëve tanë. Kjo vjeshtë do të përcaktojë të ardhmen e luftës”, tha Zelensky.
Në deklaratën e bërë në prag të vizitës, lideri ukrainas listoi 3 elementë të planit të tij të fitores: donacione të tjera armatimesh, përpjekje diplomatike për të detyruar Rusinë të pranojë paqen dhe mbajtjen përgjegjëse të Moskës për agresionin ndaj vendit të tij.
Kievi po i lutet prej muajsh SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe aleatëve perëndimorë të lehtësojnë kufizimet mbi përdorimin e raketave me rreze të gjatë, në mënyrë që të godasë shënjestra në thellësi të Rusisë. Por, Putin ka paralajmëruar se një hap i tillë do të konsiderohej si pjesëmarrje e drejtpërdrejtë e aleancës ushtarake në luftë. I pyetur nga gazetarët të dielën nëse e ka marrë vendimin lidhur me çështjen, Presidenti Joe Biden u përgjigj “jo”.