Ka përfunduar pas një orë e gjysmë takimi në Antalia mes ministrit të Jashtëm ukrainas, Kuleba dhe homologut të tij rus, Lavrov për situatën e krijuar në Ukrainë.
Në një konferencë për shtyp pas takimit, diplomati ukrainas deklaroi se negociatat shkuan mirë, por nuk arritën ndonjë konkluzion pasi sipas tij edhe kërkesës për një korridor humanitar në Mariupol, Lavrov nuk mund t’i jepte përgjigje, pa marrë konfirmimin e autoriteteve.
“Falënderoj ministrit Cavusoglu për ndërmjetësimin e këtij takimi në Antalia. Bisedimet ishin të lehta dhe të vështira. Rusia nuk u tërhoq nga pozicionet e saj. Situata momentalisht është shumë e vështirë në Mariupol i cili është duke u bombarduar nga forcat ruse. Kërkova nga ministri Lavrov krijimin e korridoreve humanitare në Mariupol për largimin e civilëve. Lavrov hezitoi pasi nuk ishte në gjendje të përgjigjej për këtë gjë pa marrë konfirmim nga autoritetet përkatëse. Biseduam dhe për një armëpushim 24 orësh për të adresuar problemet humanitare, nuk arritëm progres. Jam i gatshëm të takohem sërish në këtë format”, tha Kuleba.