Frrok Çupi/

Në të gjithë dejet e shoqërisë ka hyrë ‘kokaina’. Në fakt nuk ka nevojë për ta vënë në thonjëza fjalën ‘kokaina’; përgjimi është marramendja, është pasioni, është lënda adictive, është fuqia për të harruar dhe për të fluturuar. Një shoqëri e tërë e ardhur nga ‘shpëlarja e trurit’ e diktaturës së komunizmit shtazarak, ka hyrë në ‘shpëlarjen e dytë’ që quhet ‘përgjim demokratik’…

Një jetë të tërë përgjuan dhe u përgjuan; një jetë të tërë shpifën e kallëzuan armikun e klasës; një jetë të tërë përfituan nga kallëzimi dhe përgjimi; një jetë të tërë fituan degradimin dhe poshtërimin…

Tani, përsëri.

Partia (dmth., të gjitha partitë si një trup i vetëm) e kanë vënë kopenë njerëzore para shtrungës ku secili është i detyruar të dorëzojë një qime; nëse qimja del e ‘infektuar’ atëherë ndëshkohet gjithë shtrunga.

Qysh në shekullin 15, në botë janë ndarë njerëzit si ‘të sëmurë’ dhe si ‘të shëruar; ‘të mirë’ dhe ‘të marrë’. Filozofi i mendjes Mishel Fuko (Michel Fauchault) ka prurë deri më sot studimet e kohës. Ndarjet racionale u projektuan në pesë sektorë, sipas shkencëtarit:

1.Shtëpitë e korrektimit, burgjet, vendet e fshehta dhe të burgosurit me urdhër të mbretit.

2.Vendet e caktuara për të ‘varfrit e mirë’.

3.Vendi për paralitikët.

4.Për të marrët dhe të tjetërsuarit.

5.Për sifilitikët

Europa vuajti një shekull e gjysmë nga ky lloj selektimi, ose shtrunge ku ‘merrej qimja për secilin’. Moto e gjithë epidemisë ishte: “Fajet u niveluan, vuajtjet u bënë më të lehta’ .

Shoqëria jonë ndodhet në këtë pikë. A do të zgjasë një shekull e gjysmë apo më pak? Apo më shumë…?

Shtrunga ku ‘merret qimja’ po merret në dorë nga partitë; partia po del mbi shtetin dhe mbi ligjin dhe kërkon të kontrollojë ndërgjegjen e secilit. Domethënë të bëjë gjuetinë e shtrigave, ose të fajësojë ‘të varfrit e mirë’. Partitë kanë lëshuar në fushë ‘ndershmërinë personale’ dhe po verifikojnë (vetting- ojnë) secili lider- shokun në krah. Mjeti është gjetur te Përgjimi. Paralitikët, të varfrit e mirë, të marrët, të tjetërsuarit…,-janë lëshuar me kurajë për të përgjuar dhe për të sjellë ‘qimen’ në kryesi.

Përgjojnë në komisariatin e policisë, në varkën e drogës, aty ku dhunohet një vajzë por jo ku vritet një gjyshe; në stanin e hashashit, në shtratin e gruas me jastëk në bark, në zyrat e shtetit, në banjat e bareve të ish- bllokut, në kasollet e bagëtive, në kryqin e kishës dhe në minaret e xhamisë… Kush sjell përgjimin (dmth., qimen) ai pret të marrë post të lartë, ose post sa për të ngrënë bukë duke përgjuar. Kaq është, vetëm kjo prodhohet…

Shoqërisë i është vënë saçi në kokë… Kjo është adrenalina sot për sot, thuajse të gjithë kanë hyrë në harresë dhe në fluturim. Nuk duan asgjë tjetër.

Veritas.com.al/