Në Kuvendin e Kosovës ka pasur përplasje të ashpër fizike mes opozitës dhe sigurimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e disa ministrave të Qeverisë, pasi deputetët opozitarë kanë vendosur që të mos e lejojnë të vazhdojë fjalimin Kurti, meqë vetëm një ditë më parë, shefja e grupit parlamentar u dëgjua në përgjime duke biseduar me deputet të Listë Serbe për veteranët e UÇK-së.
Situata në Kuvendin e Kosovës eskaloi fillimisht pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hunda të zgjatur si simbolikë e gënjeshtarit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nga vendi i tij shkoi hoqi letrën dhe e grisi.
Ky akt i Bislimit provokoi situatën edhe më tej pasi Mërgim Lushtaku, si përgjigje ndaj aktit të Bislimit hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti, derisa prapë Besnik Bislimi e goditi me shishe Lushtakun.
Më pas, situata u agravua pasi deputetët e PDK-së u përplasën me disa nga ministrat dhe deputetët e pozitës.
Mbrojtja e afërt e kryeministrit ka intervenuar për të ndaluar përleshjet. /Albanian Post/