Ka shkuar në 27 numri i viktimave nga përplasja e dy trenave ditën  djeshme në rajonin e Puglias, në Itali, ndërsa shifrat e të plagosurve janë mbi 50.

Ekipet e emergjencave kanë vijuar punën të palodhur dhe gjatë natës për të gjetur trupat nën rrënojat. “Një tragjedi e papranueshme”, është shprehur kreu i shtetit, Sergio Mattarella, ndërsa për kryeministrin Matteo Renzi, ky është  “Një bilanc abusurd dhe i papranueshëm “.

Ndërkohë që sipas informacioneve tashmë është mundur që të gjendet kutia e zezë e trenit që ishte nisur nga Bari, ndërsa dyshimet e para janë për një gabim njerëzor.

Ditën e djeshme rreth orës 11.00 në rrethinat e Barit, në Corato dy trena u përplasën mes tyre. Disa prej vagonave janë shkatërruar plotësisht, si pasojë e përplasjes së fortë.

Prej kohësh autoritetet hekurudhore italiane po punojnë për ndërtimin e një binari të dytë në zonë, në një linjë tejet të frekuentuar, ku kalojnë rreth 200 trena në ditë.