Po të mendosh faktin se në 17 vjet në Shqipëri janë vrarë 6 komisarë Policie, të paktën duhet të qëndrosh e të mendohesh për fatin e vendit dhe të familjes. Një shteti që i vrasin një komisar Policie, i kanë vrarë një kryeministër. Një shteti që i vrasin një bankier, i kanë vrarë një nga më të rëndësishmit në krye të shtetit…
Kjo e mat sa mirë e sa në rrezik është shteti.
Me vrasjen e Cukut, numri i drejtuesve të policisë të mbetur të vrarë shkon në 6.
Në 2 gusht 2000 vritet Drejtori i policisë Shkodër, komisar Arben Zylyftari
Admir Tafili dhe Genci Tafili në vitin 2000 kanë vrarë Kolonel Arben Zyliftarin, që në atë kohë ishte Drejtor i Policisë në Shkodër. Vrasja ndodhi pasi u krye një operacion për kapjen e Bahri Tafilit.
Në 30 dhjetor 2000 në Vlorë vritet Komisiari Ilir Ngresi . Komisar Ilir Ngresi u vra për shkak se hapi disa dosje për krimet e kryera në Berat dhe në Urën Vajgurore, ndaj komisarit u organizua një sulme nga Dritan Zhuka, i cili u vra nga Policia në vitin 2001.
Në 6 gusht 2003 në Durrës vritet Komisar Gani Malushi. Shefi i komisariatit të Fushë-Krujës, Gani Malushi u qëllua me një breshëri plumbash, duke i shkaktuar vdekjen. Shkak i kësaj vrasje ishte gjakmarrja; shënjestra ishte shoferi i Gani Malushit. Për vrasjen është dënuar me burgim të përjetshëm Agim Pepa.
Në 13 shtator 2012 vritet në Shijak, Komisar Adem Tahiraj. Shefi i Komisariatit të Shijakut është qëlluar me një breshëri automatiku. Vrasja e Komisarit ndodhi pasi ndaloi për kontroll makinën e nipit të Ilir Xhakjës, një person i lidhur me botën e krimit.
Në 25 shkurt 2013 në Tiranë u vra Komisar Dritan Lamaj. Një ndër vrasjet më të bujshme të ndodhura në Shqipëri është edhe ajo e shefit të komisariatit nr.6 në Tiranë. Dritan Lamaj u qëllua me breshëri automatiku në makinën që ai po parkonte pranë banesës së tij. Për këtë vrasje u arrestua Arben Frroku që fillimisht u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të rënda, por Gjykata e Apelit e dënoi me burgim të përjetshëm. Arben Frroku sot është i ndaluar në Holandë dhe priten procedurat e ekstradimit drejt Shqipërisë.
8 prill 2017 në Tiranë vritet komisari Artan Cuku. Pak ditë më parë i është bërë atentat edhe ish-komisarit Artan Cuku. Ai u qëllua pranë banesës së tij në Tiranë. Policia dyshon se bëhet fjalë për një vrasës me pagesë. Policia po heton disa pista, mes tyre edhe dosjet që Artan Cuku ka hetuar në kohën që ka qenë drejtues policie në Vlorë, Fier dhe në Tiranë.
Veritas.com.al/