Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për të dëshmuar në lidhje me deklaratat e bëra disa ditë më parë në ‘Report Tv’ se në Fier duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Ishin një prokuror dhe një oficer i Policisë Gjyqësore që morën deklaratën e Petro Koçit, në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit.
Pas dëshmisë për Prokurorinë e Posaçme Petro Koçi dha detaje edhe për mediat jashtë dyerve të SPAK. Ai tha se kriminelë fusin duart te tenderat në Fier, madje sipas tij edhe kërcënojnë autoritetet lokale atje. Deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste bëri edhe akuzën e fortë se bota e krimit në Fier është e lidhur me politikën, sidomos me marrëdhënie me LSI, të cilën kanë ndikuar edhe në rezultatin e zgjedhjeve të fundit.
Duke garantuar se ka vullnet për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë, Koçi tha ndër të tjera se ka zyrtarë që janë lodhur nëpër zyra dhe i janë përkulur presionit të krimit në Fier.
“Shumica zyrtare në Fier nuk e kanë mirëpritur deklaratën time që do të thotë se u dhëmb, PS distancohet nga çdo individ që preket nga krimi, ky është një vullnet i palëvizshëm i PD. Media pas deklarimeve të mia ka bërë akuza dhe referime konkrete dhe ju them që çdo gjë konkrete e denoncoj, do jem politikan që jeta publike të jetë më e pastër”, tha ai.
Kujtojmë se Koçi i bëri deklarata e forta më 16 korrik, fillimisht përmes një postimi në Facebook dhe më pas më të zgjeruara në një intervistë për Report Tv.
“Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe te korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji. Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagoniste të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike. Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtareve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrenteve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Të fuqizuar sidomos duke lare paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona. Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar”, tha ish-Zv. ministri i Mbrojtjes Petro Koçi 10 ditë më parë.