Frrok Çupi

Tani po-e-po!, që është shumë vonë… Askush nuk e dinte se do të ndizej lufta e tmerrshme Izrael- Gaza, por kjo luftë do të vinte. Prandaj është vonë.

As vetë Izraeli, që është identiteti i ‘syrit zgjuar’ që nga viti 1945, as kishte parë gjë dhe as e dinte. Edhe mund të mos e dinte se në atë ‘iks sekondë’ po vinte lufta.

Por njeriu, si edhe shteti, rron në këtë botë, me dijeninë e plotë dhe me syrin zgjuar se në çdo sekondë mund të ndodhë një gjë. Kjo botë nuk mund të rrijë si një balonë gjigande pa u mbushur me ngjarje; ndryshe do ta merrte era.  Ajo gjë që ndodh, edhe pa qenë lufta në Izrael, të bën të jesh vonë.

Veçanërisht do të gjendet i vonuar ai njeri dhe ai shtet që i ka ‘duajt nëpër duar’…, se në vjeshtë jemi. Por Kosova si shtet dhe si pjesë e kombit të përbashkët, po mblidhte ‘duajt’ e një vjeshte politike të rrezikshme të krijuar vetë e së bashku me armikun e vet Serbi.

‘Bima e rrezikut’ u mboll në atë pjesë veriu të Kosovës, ku ka ujëra, ka minerale, por ka edhe trafiqe, kontrabandë dhe abuzime. Akoma më shumë se për pasurinë e nëntokës dhe të mbitokës të krijuar nga natyra, Veriu i Kosovës lakmohet nga të dy palët politike për shkak të ‘pisllëkut’ që kushton shumë më shtrenjtë e që quhet krim, trafiqe, kontrabandë, allishverish. Kjo është pasuria e vërtetë për të dy qeveritë, si në Kosovë edhe në Serbi…

Ngjashmërisht me kufirin mes Gaza dhe Izrael.

Ja për këtë arsye në kufirin Kosovë- Serbi u mboll ‘pema e rrezikut’ dhe u rrit, tashmë më shumë se një bojë njeriu. Tani është vonë, njeriu nuk ia arrin dot degët për ta kthyer në ‘duj’ si misrin në arë. Aq më tepër që fuqitë e mëdha as që mund të aviten, si gjithmonë deri tani, për ta palosur ‘pemën e rrezikut  në veri të Kosovës. Të gjithë kanë rendur për andej ku ‘në një ditë po vriten dy herë më shumë njerëz’ se sa nga Holokausti hitlerian: Një herë më shumë nga ana e palestinezëve dhe një herë më shumë nga palestinezët.

Qysh prej fillimit, kur ‘pema e rrezikut’ ishte një këlysh bime, qysh atëherë Perëndimi i bëri thirrje Kosovës të mos vonohej, madje sa më shpejt. Mënyra më e mirë do të ishte hapja e kufijve dhe, pas kësaj, drita e thanë ‘moçalin’. Edhe nga fqinjët, Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi, nga Serbia, dhe veçanërisht nga Shqipëria, buçitën thirrjet për ‘kufij të hapur’. Kryeministri i Shqipërisë u tha edhe vëllazërisht: ‘Nesër do të jetë vonë!’.

Tani është vonë.

Madje është vonë edhe për produktin që solli ‘moçali në kufi’, ku përfitojnë dy anët e politikës dhe dy anët e mafies. Ajo që ndodhi në mes Gazës dhe Izraelit dhe po trondit planetin, ajo ndodhi bash për punë ‘pisllëku në kufi’ dhe për shkak të mafies.

Edhe në Kosovë, moçali në kufirin verior solli ‘të vrarë e terrorizëm’.

Po të mos kishte plasur ngjarja e Izraelit, aq rëndë sa ka mbushur me hidrogjen vetë ‘balonën e planetit’, atëherë me siguri Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian do të ndodheshin në Kosovë, në përpjekje për të gjetur zgjidhjen. Mirëpo tani është vonë.

Edhe atëherë ishte vonë. Vonë kur superfuqitë i ranë ‘në gjunjë’ qeverisë së Kosovës me kërkesat ‘eja në vete!, bëje të mirën për popullin e Kosovës!, bashkëpuno me Amerikën dhe Europën…”. Mirëpo Kurti i Kosovës e vonoi dhe e stërkeqi më shumë. Amerikës i tha ‘je naive’, ndërsa Europës i tha ‘je hileqare’. Edhe sikur të ulërijë Kurti se tani ‘i dua Amerikën dhe Europën’, tani superfuqitë kanë shkuar ‘punëtorë diku tjetër- në Lindjen e Mesme’, ku po merr zjarr globi.

Vonë është për kryeministrin e Kosovës që po kthehet në Tiranë; pasi i hodhi shqelma, tani s’dihet pse vjen. Në 16 Tetor Samiti i Procesit të Berlinit për ku u bind Kurti, a do të mbahet apo nuk do të mbahet?!  Nëse nuk do të mbahet, nuk do të mbahet për shkak të Lindjes së Mesme. Nëse do të mbahet, do të mbahet për t’iu kushtuar Lindjes së Mesme. Ballkani është mjaft larg, edhe aeroportet janë mbyllur për fluturimin e të mbeturve në dhè të huaj. Gjatë ministerialit të punëve të Jashtme që u mbajt në Tiranë, palët Kosovë e Serbi nuk pranuan të flasin; ndërsa tani a do të kenë, vallë, tribunë ku të shpalosin zërin?! Shkoi ajo punë…

‘Flluska gjigande e botës’ mund të nisë të mbushet me hidrogjen në vend tjetër, pos Izrael; domethënë me ngjarje ku të kapërcehet edhe vetë Izraeli. Kështu është bota, çfarë mbylli në sy nata nuk e sjell mëngjesi…Askush nuk e di se çfarë. Atëherë akoma edhe më vonë; por qysh se ishte herët, në fakt ishte vonë.