Është pezulluar nga detyra anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Ardian Hajdari, pasi u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Hajdari është kallëzuar penalisht në qershor të vitit 2020 nga ish-gjyqtarë e ish-prokurorë të shkarkuar tashmë, për fshehjen e të ardhurave dhe deklarim të rremë pasurie.

I njëjti kallëzim ka qenë bërë edhe për ish-anëtarin e tjetër të KPA-së, Luan Daci, i cili tashmë po vuan dënimin e dhënë nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ai u dënua nga GJKKO-ja me gjashtë muaj burg, në dhjetor të 2020-s, dënim i cili u konvertua në 12 muaj shërbim prove.

Kallëzimi

Anëtari i KPA, Hajdari u kallëzua në SPAK në qershor 2020 nga ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë që nuk kaluan procesin e vetingun.

Ish-prokuroria Antoneta Sevdari, ish-gjyqtari Ervin Metalla dhe ish-prokurori Elsion Sadiku e kallëzuan për falsifikim dokumentesh përveç fshehjes dhe mos deklarim të pasurisë.

Në janar 2020, ishte anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani që kallëzoi pranë SPAK, dy gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Ardian Hajdari dhe Luan Daci.

(Luan Daci)

Sipas tij, Hajdari dhe Daci nuk përmbushin kushtet ligjore, përkatësisht; gjyqtari Hajdari nuk ka notën mesatare 8 të kërkuar nga ligji, ndërsa gjyqtari Daci ka fshehur shkarkimin e tij në vitin 1997.

Ish-prokuroria Sevdari paraqiti dhe një ankesë pranë Operacionit Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) për Hajdarin por që nuk u mor parasysh.

Sipas saj, Hajdari nuk plotëson tre kushtet kryesore që përcakton Kushtetuta për të qenë pjesë e KPA.

Servdari thotë se Ardian Hajdari nuk ka një eksperiencë prej 15 vite në sistemin e drejtësisë pasi ishte i regjistruar si avokat në Këshillin Rajonal të Avokatëve të Shkodrës për vetëm 13 vite.

Gjithashtu, ajo pretendon se Hajdari nuk ka asnjë dëshmi për ndonjë biznes të regjistruar, gjë që do të thotë se ka fshehur të ardhurat nga organet tatimore.

Deklarimi i Ardian Hajdari

Në CV zyrtare te publikuar ne faqen e KPA, thuhet se Hajdari në vitin 1996 ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Drejtësisë, pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.

Nga viti 1995 deri në vitin 1998, ka punuar si ndihmësgjyqtar pranë ish-Gjykatës së Shkallës së Parë Malësi e Madhe dhe 1998-2000, ka punuar ndihmësgjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Si avokat ka ushtruar profesionin 2000-2017, ku në periudha të shkurtra ka punuar si jurist pranë Hidrocentralit Koman, dhe jurist pranë Bashkisë Vau Dejës.

Në deklarimin e pasurisë në vitin 2017, Ardian Hajdari deklaron pagë prej 3 854 376 Lekë si gjyqtar i KPA dhe depozita me vlerë 400 mijë lekë, 8 mijë euro dhe 4 mijë dollarë. Ai thotë se është pronar i 1/8 të një apartamenti në Shkodër me sipërfaqe 75 m2 si dhe ka në pronësi një makinë të tipit ‘Mercedes Benz’ me vit prodhimi 1996 me vlerë 3 mijë euro me të ardhura dhe kursimet nga punësimi si avokat.