Gjate punimeve ne Kuvend sot, Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka prezantuar marrëveshjen me Greqinë që do të çohet për miratim.
Ministri u shpreh se Shqipëria dhe Greqia do të ngrenë një drejtori në Kakavijë me staf të përbashkët, për të parandaluar një sërë krimesh si kontrabanda, trafikimin e emigrantëve dhe lëndëve narkotike.
Fjala e plotë e Çuçit:
Sot kemi sjellë për miratim një marrëveshje me fqinjin tonë Greqinë, për të ngritur në Kakavijë një qendër të përbashkët të bashkëpunimit policor dhe doganor. Kjo qendër do të rrisë cilësisht bashkëpunimin me fqinjin por edhe më gjerë sigurinë e kufirit tonë me Bashkimin Europian.
Marrëveshja është plotësisht në përputhje me synimin tonë për ta bërë Shqipërinë një vend me kufij të hapur por të sigurtë. Pra, i shërben lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave, por duke goditur paligjshmërinë. Ajo lidhet me sigurinë ndërkufitare, luftën kundër trafiqeve, kontrabandën, e madje luftën kundër krimit të organizuar.
Po çfarë përmban marrëveshja?
Thelbi i marrëveshjes është ngritja e një Qendre të përbashkët ekspertësh, nga policia dhe dogana e të dy vendeve, ku do të shkëmbehet informacion dhe do të bëhet analizë risku për të parandaluar veprimtarinë kriminale dhe kryesisht krimin ndërkufitar. Shkëmbimi i informacionit mes vendeve është një praktikë tashmë e njohur, por në këtë rast, ngritja e një strukture të tillë, unike për nga forma, e lehtëson së tepërmi këtë proces.
Nëse dikur në kufijtë mes vendeve ngriheshin mure guri apo betoni, apo gardhe telash me gjemba, sot ne po ngremë strukturë të përbashkëta ekspertësh, ku do të shërbejnë policë e doganierë, shqiptarë e grekë, të cilët do të shkëmbejnë informacion në kohë reale dhe do të analizojnë rreziqet, që mund të vijnë nga një individ apo rrjet kriminal, duke shërbyer si katalizatorë të luftës sonë të përbashkët kundër krimit ndërkufitar.
Duhet të mbajmë parasysh të nderuar kolegë që Qendra, në veprimtarinë e saj, nuk u mbivendoset autoriteteve policore, doganore përkatëse, por vetëm i asiston ato, i bën më efikase dhe më rezultative. Në punën e agjencive ligjzbatuese, informacioni i saktë është ndër kushtet kryesore për rritjen e suksesit.
Qendra është në një kuptim si një zyrë ‘One Stop Shop’, ku çdo gjë që ka lidhje me informacionin, procedohet shpejt dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, pasi prej aty ekspertët aksesojnë lehtësisht bazën e të dhënave kombëtare dhe kontaktojnë çdo institucion, që posedon një të dhënë të mundshme.
Janë 16 kategori të ndryshme krimesh për të cilat do të shkëmbehet informacion në bazë të kësaj marrëveshjeje. Kjo flet për rëndësinë që ka për ne, por edhe për palën greke, ngritja sa më parë e një strukture të tillë.
Ne besojmë se miratimi i aktit të sotëm do të jetë një tregues shtesë i profesionalizmit dhe besueshmërisë së strukturave tona policore në raport me organizatat partnere në rajon dhe më gjerë.
Nga ana tjetër, me këtë akt dëshmojmë vullnetin tonë për bashkëpunim sa më thelbësor me vendet mike, partnere, dhe mbështetëse të përpjekjeve të vendit tonë për arritjen e synimit tonë madhor, integrimin në familjen e madhe europiane.
Të nderuar kolegë,
Kjo marrëveshje vjen edhe në një kuadër më të gjerë të vizionit të Ministrisë së Brendshme për të inkurajuar lëvizjen e lirë dhe të ligjshme të shtetasve, me kufijtë tanë sa më të hapur, por njëkohësisht dhe sa më të sigurtë.
Siç dhe jeni në dijeni, ne kemi ndërmarrë dhe disa nisma të bashkëpunimit rajonal, që sigurojnë dhe nxisin lirinë e lëvizjes dhe qëndrimin e lirë dhe qëndrimin e lirë dhe të ligjshëm të shtetasve.
Marrëveshjet që kemi nënshkruar së fundmi në takimin vjetor me Qeverinë e Kosovës, apo marrëveshjet rajonale me mbështetjen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal si dhe marrëveshjet në kuadër të ‘Open Balkan’, dëshmojnë orientimin pro integrues të vendit tonë, sidomos në rrafshin rajonal.
Paralelisht ne kemi investuar në drejtim të modernizimit të sigurisë kufitare. Këtë vit nëpërmjet një projekti që mbështetet nga buxheti i shtetit dhe nga fondet e IPA-s si, dhe me asistencën e partnerëve tanë, do të përsoset modernizimi i kontrollit të vijës së kufirit dhe shërbimeve të tjera në kufi, nëpërmjet projekteve teknologjike, që janë në proces si dhe me instalimin e sistemeve përkatëse.
Me disa nga shtetet fqinje synojmë edhe më shumë digjitalizimin e kontrolleve kufitare të pikave të kalimit kufitarë siç është ajo në Morinë dhe Vermicë për shtetasit dhe automjetet, duke “ndërfaqur” sistemet e kontrollit kufitar dhe njësuar procedurat.
Në lidhje me menaxhimin e trafikut ndërkufitar, strategjia jonë orientohet në ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ku aplikohen procedura të përshpejtuara, çka lehtëson në mënyrë drastike qarkullimin në të dy kahet me fqinjët tanë.
Përveç aplikimit të këtyre metodave dinamike e të zhdërvjellta të kontrollit kufitar, ne synojmë dhe po realizojmë konkretisht edhe shtimin e vendkalimeve kufitare, si një nga masat lehtësuese e integruese në favor të shtetasve.
Të gjithë këto masa si dhe marrëveshjet e bashkëpunimit të nënshkruara me fqinjët, me FRONTEX gjithashtu, apo edhe kjo e sotmja, për ngritjen e qendrës së përbashkët policore dhe doganore në Kakavijë me Greqinë, janë garanci për mbajtjen dhe ngritjen e parametrave të sigurisë në vend, në rajon e më gjerë, duke garantuar gjithmonë e më shumë arritjen e nivelit të përputhshmërisë me standardet europiane dhe me kërkesat e Shengen-it në drejtim të kontrollit të kufijve shtetërorë.
Së fundmi, ju ftoj që të votoni pro në mënyrë që përpjekjet tona për rritjen e bashkëpunimit, lëvizjes së lirë dhe sigurisë në vend dhe në rajon të kenë një instrument më tepër në dispozicion, siç është Qendra e përbashkët që parashikon kjo marrëveshje.
Ju faleminderit.