Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në konferencë të jashtëzakonshme për media ka bërë të ditur se Polica e Kosovës është sulmuar për tri herë radhazi në Veri të Kosovës.
Sulmi i fundit, ka thënë Sveçla, ka ndodhur mëngjesin e sotëm.
“Rreth orës 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për ta bërë ndërrimin në pikat kufitare”.
Sveçla, bëri të ditur se sulmet janë duke u kryer në forma të ndryshme, mirëpo në të njëjtën zonë.
“Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.
“Sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqë metalikë në rrugën nacionale në kohën për afërisht të njëjtë me sulmet e sodit, me qëllim që të pamundësojnë punën e policisë së Kosovës në të njëjtën kohë të rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Kosovës”.
Gjithashtu, theksoi se njëri ndër sulmet është kryer edhe me armë zjarri.
“Sulmi i dytë ka ndodhur me gjuajtën me gurë në veturën e policisë së Kosovës, sulmi i tretë ka ndodhur mbrëmë në afërsi të portit policor i cili bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale është gjuajtur me armë zjarri”.
Ai shtoi se shumë shpejt policia e Kosovës do të vijë me informacione të reja sa i përket situatës aktuale.
Edhe drejtori i përgjithshëm i Policës së Kosovës, Samedin Mehmeti, bëri të ditur detaje nga këto sulme që kanë ndodhur ndaj PK-së.
“Sikurse ju njoftoj edhe ministri i punëve të brendshme, prej datës 14 ne kishim katër sulme të sinkronizuara të organizuar ndaj policisë së Kosovës në një territor i cili është i ndërlidhur, vendet në të cilat janë bërë sulmet kanë qenë të ndërlidhura”.
Drejtori i PK-së, bën të ditur se është e qartë se kemi të bëjmë me një grup të organizuar.
“Kjo na bën me dije se kemi të bëjmë me një grup të organizuar i cili ka për qëllim që të pengojë policinë e Kosovës dhe aksionet që ka të bëjë policia në luftën kundër kontrabandës dhe tregtie e ndryshme tjera ilegale që zhvillohen në këtë pjesë të kufirit të Kosovës”.
Ndërsa ka sqaruar se, “Njësiti Kundër Terrorit dhe Prokuroria Speciale është duke u marrë me rastin”.