Policia e Shtetit ka reaguar përmes një deklarate shpërndarë mediave lidhur me postimet e fundit të ish kryeministrit Sali Berisha, në qendër të të cilave ndodhen denoncimet e ‘qytetarit digjital’. Ndërsa i konsideron këto postime një lumë shpifjesh nga ana e ish-kryeministrit, të cilat kanë për qëllim të denigrojnë punën e policisë, në deklaratë paralajmërohet përballja në gjykatë.

“Policia e Shtetit konstaton me keqardhje se shtetasi Sali Berisha ka prodhuar dhe postuar në rrjete sociale në vazhdimësi shpifje të panumërta ndaj kësaj organizate ligj zbatuese. E gjendur nën presionin e pandërprerë të një lumi shpifjesh nga ana e këtij shtetasi, Policia e Shtetit bën me dije se do të reagojë me kallzime penale, duke kërkuar zbardhjen shpejt dhe deri në fund të këtyre shpifjeve, nga Prokuroria.” -thuhet në deklaratën e policisë.

Më tej, Policia e Shtetit vlerëson se publikimet e këtij lloji tentojnë të ndërtojnë një fushatë të mirëfilltë ‘linçimi publik’, që ka qëllim të denigrojnë, delegjitimojnë, dekurajojnë dhe pengojnë punën e trupës së Policisë së Shtetit në shërbim të Kushtetutës, ligjit e qytetarëve.

“Policia e Shtetit do ta adresojë në rrugë ligjore këtë tentativë të papranueshme dhe do të mirëpresë hetimet që do të provojnë bazën e çdo akuze nga ana e zotit Berisha. Kjo është e rëndësishme jo vetëm në respekt të opinionit publik, por dhe për vetë Policinë e Shtetit”.

Veritas.com.al/