Frrok Çupi/
Gjyqi është aty, para të gjithëve, i padukshëm. Në qoftë se do t’i besojmë profecive, Judah Ben Samuel, që në vitin 1217 ka parashikuar se ky vit, 2017, do të jetë “vit jubilar”; në 2017 ndërrojnë të gjitha; duan apo nuk duan këta. Por le t’i besojmë jo mrekullisë:
Dje, përsëri ishim në gjyq:
Selia e gjyqit: Bunkeri i diktaturës. Qeveria e Rilindjes hapi përsëri kutinë e vjetër, e patë të gjithë. Bunkeri, mes mijërave që i zunë frymën popullit në regjimin komunist, u zgjodh si altar. Kryeministri ua hodhi dorashkën në fytyrë të gjithë të vuajturve nga diktatura dhe i prozvaldi. “Uluni në gjunjë- sikur iu tha- dhe lëpini çfarë keni pështyrë për diktatorin”. As në gjyqet e vjetra me skllevër nuk ka ndodhur kështu… Qeveria dje, iu hoqi njerëzve edhe një të drejtë tjetër: Të drejtën për të mos pranuar diktaturën… Në “sallën e gjyqit ndodhej jo veç qeveria e ditës. Aty ishte një pjesë e diasporës shqiptare e thërritur enkas për t’i treguar gishtin shumicës që jeton këtu. Qeveria kishte thërritur një “samit diaspore” për ta vënë edhe atë para provës me pjesën tjetër të diasporës që e la vendin në kohë diktature. Gjysma e popullit në konflikt me gjysmën tjetër… Në gjyq nuk ndodhej vetëm qeveria shqiptare, aty ndodhej edhe amerikani Richard Hausman- këshilltari i George Sorros (po ky pse këtu?!) që po gjykohet si shkaktar i grabitjes së miliardave dhe i tentativës për Luftë Civile në Amerikë. Prapë, edhe në këtë rast- populli para provës: T’i pranojë apo jo të ardhurit nga Amerika!?… Këta po i dhunojnë popullit edhe një të drejtë tjetër, të drejtën e besimit. Shqiptarët besojnë te Amerika më shumë se te Zoti; tani ia shembin edhe këtë kolonë dhe e lënë popullin në mëshirë të fatit… Në sallën e gjyqit vijnë edhe dy figura individuale: Njëri- një poet shqiptar (Avzi Nelaj) i varur në vitin 1988 me firmën e familjes së kryeministrit; dhe tjetri një gazetar biznesmen italian (Carlo Bolino). Të dytin e ka fryrë kryeministri me qëllim që të shporrte një italian tjetër (Becchetti i Agon Channel) i cili pas kësaj ka hapur një gjyq për t’u shpaguar me 1 miliardë euro, (prapë nga populli). Ndërsa i pari (poeti) erdhi përmes një pllakati me dron, ku shkruhej: “Pse e vratë Avzi Nelajn?”. Pyetjen e prunë disa të rinj mbi kokat e të gjallëve shenjë revolte. Njësoj si të kishte ardhur i vdekuri në gjyq dhe t’ua kërkonte vrasëseve “pse më vratë?”. Kaq makabre.
Në miniaturë- e njejta skenë kudo… Popujt ndodhen para gjyqit; në fazën kur po pyesin veten:
1.
Prapë të na bëjnë për budalla?
Qeveritë kanë premtuar dhe nuk kanë bërë asgjë. Kanë premtuar prapë e prapë- asgjë. Asgjë- disa herë. Tani popujt do të bëjnë atë që iu thotë mendja, por pa qeveritë. Një gjë është marrë vesh edhe nga vetë elitat politike: Popujt po bëjnë shumë pyetje gjyqësore, përveçse nuk venë në pikëpyetje kundërshtimin ndaj qeverive të tanishme. Këto nuk votohen më nga popujt. As në Europë, as këtu, as në Ballkan. Pasi janë mashtruar me mijëra herë, pasi janë grabitur nga qeveritë, popujt janë marrë për “budallenj”. Qeveria e këtushme ka guxuar t’i quajë njerëzit drejtpërdrejt “dele”. Përgjigjja që i dhanë amerikanët pyetjes “prapë budallenj?”, iu ka dhënë popujve kurajën të mos kenë dilema në gjyqin ndaj vetes. Bernie Sanders, kandidat presidencial kundërshtar i Trump, tha para dy ditësh se nuk fitoi politika; kjo nuk është zgjedhje, por revolucion. “Trump- tha ai- kuptoi se në Amerikë kishte popull të pakënaqur me qeverinë”, (dmth., në gjyqin me veten).
2.
A bëmë mirë me zgjedhjen e Trump-it? Po me Brexit-in? Po me votat për Marine Le Pen në muajin prill, a do të bëjmë mirë? Po me një “parti” të pazbuluara, që me siguri do të votohet së afërmi?… Popujt kanë ndarë një gjë në gjyqin para vetes: Nuk votojnë më klasën politike… Cilin do të votojnë? Tump, Brexit, partinë “Pirate” në Islandë, Julian Assange në kuvli, Edward Snowden në arrati?… A bëmë gabim fatal që votuam Trump-in? Ndoshta, por nuk kishim rrugë tjetër!- po përgjigjen studiuesit e politikës në Amerikë. Popujt kanë të drejtë që edhe kur bëjnë mirë ta “hedhin” në gjyq veten. Por elitat politike po vazhdojnë, tragjikisht, të venë popullin para gjyqit. Klasa politike e “swamp” (moçal)- sipas idesë së Trump-it po akuzon popujt e Europës se janë “populistë”. për të qeshur e për të qarë: Popuj dhe populistë. I tremben “tharjes së moçalit”, sipas presidnetit të zgjedhur amerikan. Trumpi?- një i panjohur. Vetëm qeveritë që janë e që i njohëm kaq gjatë e kaq keq, nuk votohen më. Popujt janë në armiqësi me qeveritë; kjo është terapia.
3.
A do të vazhdojmë më me “Terapinë e Qenit”?- bëjnë pyetje popujt në vetëgjyqësinë e tyre. “Terapia e Qenit”, e elaboruar nga mendimtarë perëndimorë këto ditë- është kjo që ndodh më së shumi këtu te ne. Këtu njerëzit bëhen me qeverinë me qëllim që “qeveria të mos na heqë nga puna”; këtu largohen nga puna mijëra njerëz pse nuk janë me “partinë e qeverisë” dhe zëvendësohen me “tanët”. “Tanët” vihen në “terapinë e qenit” dhe ndjekin padronin. Padroni- qeveri, vetëm për dhjetë muaj ka paguar 7 milionë dollarë për gjyqet e fituara nga ata që u larguan; po për katër vjet?! Këta që janë shumicë dhe që qeveria ua merr paratë për të paguar humbjen e vet në gjyq; edhe këta ndodhen në “Terapinë e Qenit”: Ndjekin të zonë pa ditur çfarë bëjnë.
Amerikanët e thyen “Terapinë” duke i dhënë botës modelin dhe kurajën. Në Evropë popujt janë ndarë nga qeveritë. Sipas sondazheve: sikur secila qeveri t’i bëjë thirrje popullit të vet për një sakrificë ose për një emergjencë, popujt flenë në krahun tjetër. Qeveritë, që nga Franca e rrotull, ndodhen në minimumin e besueshmërisë. Megjithëse po ndodh si në Amerikë: Njerëzit nuk tregojnë më, sepse edhe mediave nuk iu besojnë më. Popujt janë në gjyq me veten.
4.
Prapë edhe katër?…, prapë edhe tetë?…, prapë edhe 23?
Popujt u lodhën me pyetjen “prapë ky?”. Gjatë periudhës së “Perdes së hekurt”, zakoni për të mbajtur pushtet dhjetë e njëzet e njëzetëve vjet…, aplikohej vetëm këtu në Lindje. Pastaj “mortaja” u përhap edhe në Perëndim. Në Amerikë, kandidatja Hillary, që guxoi përsëri, kishte bërë 23 vjet në pushtet. Këtu te ne çdo kryetar partie ka më shumë se 20; kryeministri ka 14 vjet. Këta këtu, në vend që të vetëgjykohen, dërgojnë popullin para gjyqit: Ta mbajmë edhe katër të tjerë? Edhe tetë?!..
Pyetja po shtrohej tragjikisht në Amerikë- shkruan Larry Klayman, një jurist, autor amerikan,- se pas tetë vjet me Obamën, të vinte “çifti i korruptuar Clinton?”. Atëherë çfarë të bënim?. Atëherë kjo do të ishte “kambanë vdekjeje” për baballarët e Amerikës. “Në horizont të Amerikës do të dukej fundi i kombit”- shkruan autori.
Modeli i Amerikës e hapi dritën e tunelit, iu dha kurajë popujve, por akoma popujt janë para gjyqit.
/Veritas.com.al/