“Ajo çfarë keni bërë është e mjaftueshme për të çelur bisedimet për anëtarësim. Do të jetë sfidë të binden të gjitha shtetet anëtare të BE-së [për të hapur negociatat me vendet e Ballkanit Perëndimor]. Ky proces do i ngjajë më shumë një gare me pengesa se sa një autostrade, por BE dhe Ballkani Perëndimor e kanë vendin së bashku.”

Kështu u shpreh sot Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk, që po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.

Më tej, Presidenti Tusk përgëzoi shqiptarët për marrjen e rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian dhe theksoi nevojën për reforma dhe luftë kundër krimit e korrupsionit:

“Rekomandimi tregon se keni bërë përpjekjet e mëdha e po bëheni gati të nisni një nga projeketet më pozitive politike. Negociatat me BE nuk janë të lehta, por më lejoni të them që ia vlen. Nuk do të ndodhë brenda natës, do të ketë shumë sfida e punë të madhe gjatë rrugës duke nisur me sigurimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe reformën ambicioze të drejtësisë.”

Presidenti Tusk erdhi sot në Tiranë për një vizitë zyrtare në kuadër të një turi ballkanik gjatë së cilit do të takohet me liderët e Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës e Serbisë.

Veritas.com.al/