Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos ka folur mbi ccështjen shqiptare edhe në takim me presidentin e Gjeorgjisë, Giorgi Margvelashvili, që zoti Pavlopulos e priti në pallatin presidencial në Athinë.

Në fillim, presidenti grek tha se Greqia dëshiron anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe në NATO, duke harruar se Shqipëria është bërë anëtare e Aleancës që prej nëntë vjetësh.

Pavlopulos përsëriti se vendi fqinj duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të vlerat europiane si e drejta e pronës dhe të drejtat e minoriteteve.

Pastaj Pavlopulos u ndal në kërkesën e Tiranës për zgjidhjen e çështjes çame.

“Besoj se në këto momente udhëheqja politike e Shqipërisë po bën një gabim të madh, duke mbështetur gjoja të drejtat e disa shqiptarëve që gjatë pushtimit nazist të Greqisë ishin bashkëpunëtorë të nazistëve. Të duash të jesh anëtar i NATO-s dhe i BE-së dhe të pretendosh për të drejta inekzistente të nazistëve, nuk besoj se tregon një perspektivë serioze europiane. Kur të ketë një qëndrim tjetër, Greqia është këtu ta ndihmojë vendin fqinj për në BE”, përfundoi presidenti grek.

Ndërkohë sot Presidenti Meta në një intervistë për “Albanian Daily Neës” tha se qëndrimet e homologut të tij grek nuk sjellin energji pozitive.

Ilir Meta:

“Dua të nënvizoj se këto deklarata nuk janë në sintoni me mesazhet dhe angazhimet publike të kohëve të fundit të Ministrave të Jashtëm Bushati dhe Kotzias për të çliruar energji të reja pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke trajtuar me vetëpërmbajtje dhe konstruktivitet pengesa të së kaluarës.

Spektri i bashkëpunimit midis dy vendeve është i gjithanshëm dhe me rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për vendet tona por mbi të gjitha për popujt dhe njerëzit tanë.

Natyrisht mund të ketë edhe çështje të caktuara për të cilat mund të ndajmë qëndrime të ndryshme por kjo nuk do të thotë të humbasim qetësinë në komunikimin me njëri-tjetrin dhe as, për këtë, arsye të cenojmë, bashkëpunimin e gjithanshme dhe jetik për të dy vendet dhe popujt tanë.

Partneriteti nuk është thjesht një koncept dhe një dokument por ne radhë të parë është një mënyrë komunikimi bazuar edhe në respektin reciprok”.

Veritas.com.al/