Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, pas konsultimit me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka propozuar datën 6 mars për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore.

“Presidenti mendon që zgjedhjet duhet të zhvillohen në datën 6 mars”, tha Balla duke shtuar se mazhoranca nuk ka asnjë problem me këtë datë.

Sipas tij, respektimi i Kushtetutës është një detyrim.

Në këtë konsultim presidenti ka ftuar vetëm përfaqësinë e PS-së, dhe jo partitë e tjera politike.

“I thashë presidentit, se ky institucion duhet ta kishte ushtruar këtë detyrim ligjor që në njoftimin më të parë për krijimin e vakancave”, njoftoi Balla, referuar situatës së krijuar në Bashkinë e Shkodrës në gusht të vitit 2019.

Letër Kryeministrisë

Dy ditë më parë, Meta i ka dërguar një shkresë zyrtare, Kryeministrisë, me anë të së cilës i ka kërkuar informacion mbi numrin e Bashkive të mbetura pa kryetar.

Kjo letër vjen pas përgjigjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri.

“Kush janë saktësisht ato njësi vendore në të cilat përgjatë kësaj periudhë 30 qershor 2019-janar 2022, sipas informacionit dhe vlerësimit tuaj Kryetarëve të Bashkisë u ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme”, nënvizon Presidenca.

Ndër të tjera, kërkohet edhe shkaku ligjor dhe akti përmes të cilit është realizuar përfundimi i parakohshëm i mandatit të tyre.

Apo edhe për plotësimin e këtyre të fundit, për të cilat është i nevojshëm organizimi i zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e Bashkisë.

Kjo, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

KQZ

KQZ-ja, përmes një shkrese zyrtare, i ktheu më herët përgjigje presidentit Meta, sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Meta kishte kërkuar informacion nga KQZ-ja në lidhje me vakancat në pozicionet e kryetarëve të Bashkive.

Në përgjigje, KQZ shkruan se, Bashkitë pa kryetar janë Vora, Dibra dhe Shkodra, ndërsa nënvizon se, nuk ka dijeni për Lushnjën, Rrogozhinën dhe Durrësin, pasi duheshin informuar nga Këshilli i Ministrave.

Bashkitë që kanë mbetur pa kryetar janë ato të Shkodrës, Vorës, Durrës, Rrogozhinës, Dibrës dhe Lushnjës.

Aktualisht, Vora, Durrësi, Rrogozhina dhe Dibra drejtohen nga kryetar të emëruar dhe jo të zgjedhur.

Ndërsa Voltana Ademi në Shkodër vijon të mbajë mandatin përtej afateve