Nga: Frrok Çupi/
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një intervistë për kanalin te;eviziv “News 24” ka thënë se është i gatshëm që “krizën politike në vend” ta zgjidhë me anë të “dialogut të palëve”.
Kriza politike në vend nënkupton “ngrirjen” e zhvillimeve politike, sidomos pas kërkesës së Opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme “me një qeveri teknike”. Dorëheqja e qeverisë Rama, për opozitën nuk është e negociueshme. Pas kësaj- sipas Opozitës- mund të fillojnë negociatat për krijimin e qeverisë teknike, formulën për krijimin e saj, anëtarët e kabinetit” teknik”, etj. Por jo para këtij hapi.
Arsyeja pse Opozita e kryesuar nga Partia Demokratike kërkon “zgjedhje të lira” jashtë qeverisë Rama, dmth., përmes një qeverie teknike, është bërë e qartë si në vend edhe ndërkombëtarisht. Arsyeja është se qeveria aktuale PS+LSI është e pabesueshme se mund të zhvillojë zgjedhje të ndershme. Për katër vjet qeveria është akuzuar për një “korrupsion galopant”- sipas edhe raportit të Departamentit të Shtetit të SHBA. Ky korrupsion ka mundur të grumbullojë fonde të mëdha në xhepat e qeverisë, që me siguri do të përdoren për të blerë votat e zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017. Edhe zgjedhjet e vitit 2013 kishin hijen e rëndë të blerjes së votave nga PS+LSI. Për këtë ranë edhe “dëshmorë” në fushën e dorëzimit të parave për votë.
Prej dy vjetësh vendi ynë është shpallur “Kolumbi e Europës” për shkak të kultivimit dhe trafikimit shtetëror të bimës narkotike. Sipas llogarive të bëra nga OSBE dhe shprehur përmes ambasadorit ët OSBE në Tiranë, mbi 2 miliardë euro të ardhura nga droga ndodhen në qarkullim “për blerjen e votave”. Në rrethanat e një shteti që prodhon dhe shet drogë pa “llogari”, nuk mund të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme nën qeverinë që ka kryer krimin e drogës. Prandaj është kërkuar dhe kërkohet dorëheqja e qeverisë dhe krijimi i qeverisë teknike.
Prej më shumë se dy vjet, sipas kërkesës së Opozitës parlamentare dhe me një rezolutë të veçantë të Kuvendit, institucioni ligjvënës i Republikës, është shpallur “i kriminalizuar”. Edhe aleatët kryesorë të vendit, BE dhe SHBA, kanë pranuar se Kuvendi është i përbërë nga kriminelë, vrasës dhe trafikantë njerëzish e narkotikësh. Po edh pushteti lokal e administrata shtetërore është e mbushur me autorë krimi- sipas raportimeve të politikës së brendshme dhe përfaqësive perëndimore euroatlantike. Në këto kushte, Opozita ka kërkuar “qeveri teknike” sepse nuk mund të zhvillohen zgjedhje të lira nën një administratë, Kuvend dhe gjyqësor të inkriminuar. Presidenti e injoron Opozitën sikur ajo bën lodra fëmijësh dhe ky i jep një karamele.
Kërkesat e opozitës janë trupëzuar në një protestë qytetare që tashmë po mbush 45 ditë, në Bulevardin e Tiranës. Për këtë ngjarje janë vënë në dijeni BE, SHBA, PPE dhe institucione të demokracisë perëndimore. Betimi i Opozitës është “për jetë a vdekje” drejt zgjedhjeve të lira, përmes një qeverie teknike…
Presidenti i Republikës, Nishani, në intervistën televizive të sapo shpërndarë, ka thënë se “mund ta zgjidh krizën duke ulur palët në tavolinë”. Si do ta zgjidhin palët, me “urdhrin e peshkut”? Kaq e thjeshtë qenka që brenda një ditë të garantohen zgjedhje të ndershme nga “palët”? “Palë” ai ka quajtur partitë politike parlamentare, për të cilat ka shprehur lavdërime nga ato që në shqipen popullore i thonë “iu krehu bishtin”. Me siguri kjo është një sjellje presidenciale për “faktorët e shtetit” siç i quan, me isharete ndaj partive se do ta zgjedhin përsëri si President të Republikës. Por pa respektuar vullnetin politik të Opozitës, që është betuar për zgjedhje të ndershme.
Mbi të gjitha ai ka folur sikur është mbi palët; në fakt është bërë palë duke marrë përsipër “misionin e PD” që nuk e thënka dot me gojën e vet se “kërkon kompromis”, por këtë ia ka thënë që ta thotë presidenti në “mexhlis”. Presidenti i Republikës, ndryshe nga çdo kryetar shteti në republikë Parlamentare, ka lëvizur prej origjinës së vet politike dhe ka kaluar në “besimin” tjetër politik. Pse? Me siguri analizat si kanë dëshmuar, do të interpretojnë si “lëpirje për t’u zgjedhur President” me një mandat tjetër. Mandati po mbaron për pak ditë, dhe presidenti mund të lakmohet lehtësisht. Por a mund të jetë i besueshëm një president që kapërcen “ylberin” brenda ditës?
/Veritas.com.al/