Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka uruar sot zotin Donald Trump për zgjedhjen e tij si President i 45 i Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Nishani shkruan se “shpreh besimin tim se niveli i shkëlqyer dhe lidhjet e forcuara në vazhdimësi që kanë karakterizuar marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe SHBA-së, gjatë Presidencës Suaj, do të pasurohen dhe do të zhvillohen më tej, në të mirë të dy popujve tanë miq”.

Presidenti Nishani tregohet i kujdesshëm në mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara, duke shkruar se “shqiptarët u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e madhe, veçanërisht në momentet tona historike më të vështira…”.

Karta “e mirënjohjes” për Luftën në Kosovë ndaj Clintonëve ka shërbyer si “mollë sherri” në segmente politike të vendit dhe Kosovës mbi parapëlqimet ndaj kandidaturave mes Clinton e Trump.

Presidenti Nishani e dërgoi urimin e tij ndaj Donald Trump kur opinioni shqiptar dhe amerikan është njohur me deklaratën e parakohshme publike të kryeministrit Rama, ku paralajmëroi se “po të fitojë Trump, marrëdhëniet tona me Amerikën do të rishikohen”.

/Veritas.com.al/