Tre efektivët e policisë së Kosovës të cilët u rrëmbyen nga forca serbe dy ditë më parë (14 qershor), janë lënë në burg nga Gjykata e Lartë në Kralevë. Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.

Tre policëve Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafa Shemi iu shqiptua masa e paraburgimit nga gjyqtari i procedurës paraprake në Kralevë, por nuk është ende e qartë se sa të jetë kohëzgjatja e qëndrimit të tyre në burg. Qeveria e Kosovës pretendon se policët janë “rrëmbyer”, pasi, sipas saj, ata janë arrestuar në territorin e Kosovës. Por Serbia e mohon këtë, duke thënë se ata janë arrestuar në territorin e saj.

Ndërkohë pas SHBA, edhe Britania e Madhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se më herët se, mesa duket, prokurori në Serbi i ka hedhur poshtë akuzat për terrorizëm kundër tre policëve të arrestuar, ndërsa i ka mbajtur në fuqi vetëm akuzat për posedim të paligjshëm të armëve. Kurti i bëri komentet gjatë një adresimi në Forumin e Prespës në Strugë.

Sot ndërkohë ka pasur sërish tënsione në veri të Kosovës e konflikte. Në Leposaviç është sulmuar fizikisht kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, të cilit i është thyer edhe kamera. Në pamjet shihet sulmi i ekipeve të medieve dhe kameramani Bekteshi duke u rrëzuar.

Ndërkohë 4 shpërthime kanë ndodhur gjatë natës në afërsi të stacioneve policore në Zveçan dhe në Mitrovicën e Veriut. Policia thotë se dyshohet se ato u hodhën nga një automjet i cili ishte në lëvizje i cili është larguar nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë në pikën kufitare në Jarinjë janë krijuar radhë me kamionët që kanë ndaluar dhe presin, pas bllokadës që i ka vendosur qeveria e Kosovës mallrave serbe.