(FOTO: Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës gjatë intervistës)/

 

Presidenti i Kosovës, ish luftëtar i UÇK, Hashim Thaçi, sot ka dhënë dy intervista “gjeopolitiste” mbi atë që po ndodh mes Kosovës dhe Serbisë.

Në intervistën e parë ka thënë se treni që u nis nga Beogradi drejt Kosovës ishte “tren i Rusisë”. Ndërsa në intervistën e  dytë dhënë për agjencinë Reuters ka thënë se “skenari i trenit” është skenar i Rusisë, i njëjtë me atë për aneksimin e Krimesë.

Thaçi, pas skenarit të trenit, parasheh një “sulm ushtarak” mbi Kosovën që sipas tij, me anë të këtij skenari, Serbia do të aneksojë Veriun e Kosovës, njësoj si Moska Krimenë.

“Qëllimi i Serbisë është që të përdorë trenin, të dhuruar nga Rusia- ka thënë Thaçi.- Qëllimi është që ta shkëpusë pjesën veriore të Kosovës, e pastaj t’ia aneksojë Serbisë. Është modeli i njëjtë si në Krime”.

Në të njëjtën intervistë, Reuters bashkëngjit edhe pjesë nga intervista e presidentit të Serbisë, Nikoliç. Ai citohet të ketë thënë se “nëse janë duke u vrarë serbë, ne do të dërgojmë ushtrinë. Të gjithë ne do të shkojmë”. Nikoliç tha se edhe vetë do të shkonte në luftë dhe se kjo nuk është “hera e parë” që shkon në luftë vetë”.

Zhvillimet në rajon mes Serbisë dhe Kosovës si dhe deklaratat reciproke të presidentëve, zhvillohen në një moment kur forcat ushtarake amerikane janë dislokuar në Poloni dhe kur pritet Inaugurimi i Presidentit të ri të Amerikës, Donald Trump.

/Veritas.com.al/