Elena Becatoros, Associated Press
Presidentja e parë femër e Greqisë është betuar zyrtarisht në detyrë, gati dy muaj pasi parlamenti votoi me shumicë dërrmuese për ta zgjedhur atë.
Ceremonia për Katerina Sakellaropoulou, 63 vjeç u zhvillua në një parlament pothuajse të zbrazët, si pjesë e masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri. Vetëm një pjesë e vogël e zyrtarëve dhe një numër i kufizuar gazetarësh ishin të pranishëm.
Pas betimit, të mbuluar drejtpërdrejt nga televizioni shtetëror, ish-gjykatësi i gjykatës së lartë vendosi një kurorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur në sheshin jashtë parlamentit, para një roje nderi presidenciale.
Megjithë paralajmërimet për virusin, një turmë e vogël u mblodh për të parë, duke qëndruar pas një kordoni sigurie përtej rrugës.
Presidentja e re kishte kryesuar Këshillin e Shtetit, gjykatën më të lartë administrative të vendit, që nga viti 2018. Ajo merr përsipër presidencën pesë-vjeçare nga konservatori veteran Prokopis Pavlopoulos.
Në një fjalim të shkurtër në pallatin presidencial, Zonja Sakellaropoulou foli për betejën kundër koronavirusit dhe krizën e emigracionit si dy sfidat kryesore të vendit.
Greqia duhet të vazhdojë t’i përmbahet parimeve të saj demokratike dhe shtetit të ligjit, duke lëvizur drejt “një të ardhmeje prosperiteti që do të ketë vend për të gjithë ne”, tha ajo.
Në një referencë të qartë për Turqinë fqinje, ajo tha se Greqia po thirrej per “të prishur agresionin e atyre që, duke përdorur dhimbjen njerëzore, duan të dëmtojnë sovranitetin tonë kombëtar”.
Turqia kohët e fundit deklaroi se kufijtë e saj me Evropën ishin të hapura, dhe inkurajoi mijëra refugjatë dhe emigrantë të tjerë të përpiqeshin të shtyheshin në Greqi.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis emëroi Znj Sakellaropoulou si një kandidate jo partizane e cila do të gëzonte mbështetje të gjerë në të gjithë spektrin politik. Të gjitha partitë e mëdha votuan pro dhe ajo u zgjodh në postin kryesisht ceremonial me një votim prej 261-33 në janar,më shumë se 200 votat e kërkuara.
Greqia ka një numër të ulët të grave në pozita të larta në politikë, dhe Z. Mitsotakis ishte kritikuar për zgjedhjen e një kabineti gati të gjithë-meshkuj pasi ai fitoi zgjedhjet e përgjithshme në korrik 2019. Në kabinetin aktual Grek, të gjithë, përveç një nga 18 pozicionet e larta mbahen nga burra.
“Shpresoj që zgjedhja e një gruaje për herë të parë në pozicionin më të lartë të vendit do të përmirësojë pozicionin e të gjitha grave në vend, si në familje ashtu edhe në shoqëri,” tha Znj Sakellaropoulou.
“Eshtë koha që gratë e këtij vendi të kuptojnë se ato mund të arrijnë ëndrrat e tyre, me meritat e tyre, pa u përballur me pengesa thjesht sepse ato kanë lindur gra.”