Projekti i Portit të ri Tregtar të Durrësit po prezantohet ditën e sotme në Pallatin e Brigadave.

Investimi për portin e ri tregtar, sipas qeverisë pritet të jetë rreth 390 milionë euro, ndërsa do të mundësojë 1500 vende të reja pune. 46% e vlerës së investimit do të financohet nga qeveria shqiptare, ndërsa pjesa tjetër, 54% do të financohet nga kompania ndërtuese.

Në muajin janar të vitit të ardhshëm do të hapet gara ndërkombëtare për të gjitha kompanitë që kanë treguar interes për ndërtimin e portit të ri tregtar. Sipas qeverisë, gara pritet të mbyllet në muajin korrik 2023, për t’i hapur më pas rrugë ndërtimit të portit. Ky port do të lidhë hekurudhë hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut. Në fjalën e tij Kryeministri Rama tha se Porti i ri tregtar në Durrës do të jetë nyja më e rëndësishme strategjike e gjithë rajonit për shkëmbimet tregtare me rajonin.

“Porti i ri tregtar i Durrësit do të bëhet nyja më e rëndësishme strategjike e gjithë qarkullimit tregtar me perëndimin dhe gjithçka tjetër që shkon përtej anës perëndimore për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Durrësi duke filluar nga integrimi me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut përmes Durrësit dhe Strugës do t’i japë këtij rajoni një kapacitet krejt tjetër për të përpunuar volum krejt tjetër tregtar”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se kompania që do të marrë përsipër ndërtimet në portin e Porto Romanos, duhet të jetë një kompani e cila duhet të vijë nga një vend mik i NATO-s. Kështu tha kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në prezantimin e projektit të ri për ndërtimin e Porto Romanos