Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian po diskuton progres-raportin për Shqipërinë, i hartuar nga raporteri Andreas Schieder.

Eurodeputetët kanë vlerësuar reformat sidomos në drejtësi dhe punën e SPAK në ndëshkimin e korrupsionit politik.

Raporteri Schieder vlerësoi ambicien e Shqipërisë për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 si dhe përparimin e shpejtë të bërë në vitet e fundit, veçanërisht hapjen e dy grupeve të kapitujve negociues në vitin 2024.

Një pjesë e eurodeputetëve vunë në dukje se Shqipëria ende përballet me një sërë sfidash, si tejkalimi i polarizimit të brendshëm politik, ndërkohë që kërkuan forcimin e dialogut politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës.

Ata këmbëngulën në nevojën për të adresuar dhe zbatuar rekomandimet e pazgjidhura nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias. Zgjedhjet parlamentare të 11 Majit konsiderohen si gur prove në arritjen e standardeve të kërkuara nga Brukseli.

Gjatë diskutimeve, roli i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Shqipërisë (SPAK) u konsiderua i domosdoshëm në ndërtimin e një historie të hetimit, ndjekjes penale dhe dënimit në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

Ata paralajmëruan politikanët që shprehen kundër cënimit të punës së institucioneve të pavarura si SPAK. Bënë thirrje për emërimin e prokurorëve shtesë në Prokurorinë Speciale si dhe ngritjen e një njësie të hetimit financiar.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *