“Projekt-Buxheti për vitin 2022 vijon me rritjen e pagave për të gjithë mësuesit. Projeksioni ynë është që pagat të rriten pa diskutim edhe 32%, por të realizojmë objektivin e rritjes deri në 40% të tyre”.

Kështu është shprehur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mëngjesin e 13 nëntorit pas një takimi me mësuesit e vendit.

“Jemi në kushtet e pandemisë, por sidoqoftë ne do vazhdojmë të synojmë objektivat maksimalë”, theksoi Rama.

Në vijim Rama u shpreh i prerë se, “është hedhur bazë e fortë për mbrojtjen e mësuesve nga ndërhyrjet e jashtme, nga politika, forca e ryshfetit – që ka qenë një konstante e vazhdueshme”.

Ai u ndal dhe te drejtuesit e shkollave te të cilët duhet ndërhyrë për t’u lënë vendin atyre me vlerë dhe meritë.

“Drejtuesve që u ka kaluar koha dhe janë ‘out’ duhet të largohen dhe duhet bërë një skanim i plotë për ti dhënë vendin atyre që e meritojnë”.

Rama në fjalën e tij bëri me dije se për herë të parë do të ketë një buxhet dhe financim të veçantë për të stimuluar prindërit, mësuesit dhe nxënësit.

Sipas tij duke nisur nga pranvera e ardhshme do të fillohet me “adresimin e boshllëkut midis orës së mësimit dhe shtëpisë”.

“Do të ju ofrojmë nxënësve një program për artet dhe zeje. Te zejet kemi parasysh dhe teknologjinë, njohjen dhe zotërimin e saj për qëllime të mira dhe për sportin”.

Kryeministri tha se vitin e ardhshëm shkollor ky buxhet dhe financim do të shfrytëzohet “menjëherë”.

(Buxheti për arsimin)

Gjithashtu Rama u bëri thirrje mësuesve se duhet të nxisin fëmijët drejt njohjes së teknologjisë.

“Paralelisht me gjuhën shqiptare, angleze, fëmijët duhet të mësojnë edhe gjuhën e kompjuterit”, ishte thirrja e kryeministrit Rama.

Së bashku me kryeministrin ishte dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

Fjala e ministres Kushi

Ministrja Kushi në fjalën e saj u shpreh se është ndarë një buxhet prej 400 milionë lekësh për të furnizuar 100 shkolla me laboratorë didaktikë.

Si dhe një fond tjetër për fuqizimin e laboratorëve të informatikës.

Kushi paraqiti dhe problemin që kanë shumë shkolla në Shqipëri, siç janë klasat kolektive. “Për tetë vite i kemi përgjysmuar klasat kolektive por për fat të keq vijon të ketë në disa shkolla”.

Po ashtu ajo u shpreh se në buxhetin e ri mbështetja për transportin e nxënësve të cilët e kanë shkollën 2 km larg banimit të tyre, do të jetë prej 50% për 35 mijë nxënës.

Mbështetja për transportin përveç nxënësve do iu jepet dhe mësuesve, që e kanë punën 5 km larg banimit të tyre.

Ajo u ndal dhe te tekstet shkollore të cilat do të rishikohen të gjitha dhe bibliotekat në shkolla do të pasurohen.

Në veçanti, ministrja Kushi u ndal tek ndihma që do u jepet fëmijëve me aftësi të veçanta dhe ata të cilët nuk kanë mundësi financiare.

“110 milionë do të jetë fondi për shkollat e arsimit special për fëmijët me aftësi të veçanta. Po kaq do të jetë bursa financiare për nxënësit që familjet e tyre kanë të ardhura minimale”.

Ndër të tjera Kushi e mbylli fjalën te mbështetja e palëkundur për mësuesit.

“Ne do të vazhdojmë misionin tonë dhe do të korrigjojmë dhe do të përmirësojmë punën tonë. Bashkë dhe me shumë dashuri për nxënësit tanë’, e përmbylli ajo./ AP/