Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme në Shqipëri, Olsian Çela, në një deklaratë për mediat pas konferencës së mbajtur për Hartën e re Gjyqësore, ka deklaruar se hetimi i ngjarjeve kriminale kërkon edhe angazhimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Ai theksoi se, prokurorët kanë pasur gjithmonë mbështetjen për të vepruar në përputhje me ligjin, jo vetëm mbështetjen e Prokurorisë së Përgjithshme por dhe Policisë.

“Në të gjitha rastet që do të hetohen ngjarjet e rënda ka nevojë dhe për një angazhim të SPAK-ut, për të vlerësuar elementët e krimit të organizuar në kryerjen e këtyre ngjarjeve”, tha Çela.

Kryeprokurori shpesh ka deklaruar se krimi i organizuar transnacional po paraqet një kërcënim serioz.

“Rruga që kemi ndërmarrë do të na mundësojë të konsolidojmë përvojat dhe kapacitetet, si dhe të përgjigjemi në një mënyrë më të organizuar institucionale ndaj kërcënimit serioz që krimi i organizuar transnacional po paraqet për shoqëritë tona”, tha ai.

I pyetur nëse propozimi i Hartës së Gjyqësore është i domosdoshëm, Çela ravijëzoi se Shqipëria është gati për të.

“Ka domosdoshmëri për Hartën Gjyqësore. Nevoja sot është ekstreme, për shkak të reformës në drejtësi që po zbatohet sot, procesit të Vettingut. Kemi një numër gjithnjë e më të paktë të magjistratëve në disa nga gjykatat e prokuroritë kryesore”, u shpreh ai në fjalën e tij.

Ai shprehu besimin se do të kenë mbështetjen e plotë, që do të sigurohen nevojat e prokurorisë, të paktën në fazën kalimtare.

“Këto janë çështje që ngelen për t’u zgjidhur, por e nevojshme në planin afatshkurtër nevojat imediate mendoj se mund të realizohen dhe prokuroritë do të kenë infrastrukturën e nevojshme për të ushtruar detyrën”, finalizoi kryeprokurori deklaratën.