Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij për 32 vjetorin e themelimit të PS-së, u ndal tek drafti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumisë serbe në Kosovë që propozoi pak ditë më parë. Ai tha se ata që kundërshtojnë propozimin, në Beograd apo Prishtinë, jetojnë me komunizmin në kokë.
Kryesocialisti shtoi se asnjëra nga palët, as Kosova e as Serbia nuk mund t’i shpallin luftë njëra-tjetrës pasi nuk lejohen nga aleatët ndërkombëtarë. Sipas tij, këto ‘lojëra luftërash’ siç i cilësoi kryeministri, duhet të marrin fund njëherë e mirë pasi rajoni i Ballkanit nuk është vetëm i Kosovës dhe Serbisë.
“Mua më vjen mirë që përpjekja për të dhënë një kontribut konkret për dialogun dhe asociacionin është pritur mirë nga aleatët tanë ndërsa atyre që e kanë kundërshtuar as pa ditur as përmbajtjen, si në Prishtinë dhe Beograd duke thënë se as nuk e presin edhe as nuk duan të dëgjojnë për një propozim nga Shqipëria sepse sipas tyre, secila duhet ta bëjë vetë Asociacionin sipas mendjes së vet, unë u them dy gjëra:
Së pari, ata që flasin kështu jetojnë akoma me komunizmin në kokë kur politika merrej me kush e tha dhe jo me çfarë tha. Së dyti, vërtet janë ata që vendosin secili për vete por ky rajon nuk është vetëm i tyre por edhe i yni. Prandaj nëse atyre iu vjen akoma për mbarë të luajnë akoma luftash një çerek shekulli pasi lufta ka mbaruar ndërkohë që as njëra palë edhe as tjetra s’i hapin dot njëra-tjetrës jo luftë por asnjë të shtënë që kapërcen kufijtë sepse aty është Amerikë, NATO dhe aleatëve tanë po u soset durimi sepse po kërkojnë paqe, unë u them se ne jemi të interesuar për atë lojë luftash por jemi kundër asaj loje.”, tha Rama.
Sa i takon marrëdhënies me Kurtin, Rama tha se kanë qëllime të njëjta por ndjekin rrugë të ndryshme.
“Qëllimi im dhe i kryeministrit të Kosovës janë të njëjta por rrugët për arritjen e atij qëllimi nuk i shohim njësoj madje gjithnjë e më ndryshe sidomos kohët e fundit. Për mua kursi i përplasjes me aleatët tanë është vetëm një kuturisje me pasoja të pallogaritshme por edhe një aventurë pa kuptim për të gjithë kotësinë e vet”, deklaroi Rama.