Policia ka paralajmëruar për pasoja nëse blloken rrugët gjatë protestës së Partisë Demokratike, që do të nisë nga ora 17:00 këtë të hënë.
Përmes një njoftimi, policia sqaron se garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve, por nuk toleron bllokimin e rrugëve.
Për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
PD ka kërkuar leje deri në orën 20:00 për protestën e sotme.
Përfaqësues të PD kanë paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, në disa akse rrugore kryesore në Tiranë, konkretisht: Unaza e vogël, rrethrrotullimi te Zogu i Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Wilson” dhe nga pallati me shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.
Komente