Protestuesit kanë nisur të grumbullohen para kryeministrisë.

Nga selia e LSI-së kryetarja Monika Kryemadhi është nisur drejt bulevardit për t’u bashkuar me protestuesit.

Në selinë PD ndodhen kryetari i PD-së, Lulzim Basha por dhe krerët e partive aleate të PD-së.

Para kryeministrisë janë forcuar masat e sigurisë dhe shumë të rinj me pankarta në duar kërkojnë “Rama ik!” Protesta do të nisë në orën 12:00 para Kryeministrisë dhe policia ka dhënë leje për të përfunduar në orën 16:00.

Të rinj të FRPD-së po vendosin disa banderola ironizuese për kryeministrin Rama dhe ish-Ministrin Tahiri. Të tilla ka dhe për kryeprokuroren Arta Marku.

Protestuesit do të jenë nën monitorimin e policisë, FNSh e forcave speciale. Policia  do të jetë nën vëzhgimin e ekspertëve të huaj, ka njoftuar Ministria e Brendshme.

Që prej orës 10:00 efektivë të policisë kanë filluar të zënë vendet e tyre para kryeministrisë, apo dhe mbi tarracën e kryesisë së Kuvendit.

Mësohet se për të ruajtur rendin dhe sigurinë, të paktën në orët që është parashikuar protesta, do të angazhohen rreth 1400 efektivë police.

Bëhet fjalë për efektivë të policisë së kryeqyetit kryesisht, forcat RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, forcat operacionale të dhe efektivë të të gjitha komisariateve të kryeqytetit.