Kryeministri Edi Rama ka qenë prezent më shumë se kurrë në median Italiane gjatë periudhës kur në rrugët e vendit po zhvillohen protesta politike kundër Parlamentit dhe qeverisë. Në një fjalim në Kuvend ai ka lënë të nënkuptohet se këtë po e bën ‘për të qartësuar investitorët e huaj dhe opinionin evropian’ mbi të vërtetën që po ndodh në vend.

Italia është konsideruar si porta e daljes sonë drejt vendeve kryesore të BE, por edhe media italiane është konsideruar si mjaft influencuese ndaj këtij opinioni.

“Protestat e këtyre ditëve nuk janë reagim i njerëzve, por sulme të lidhura me një grup pushtetarësh  të dëbuar prej më shumë se pesë vjet më parë.” -kështu shprehet kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën “La Repubblica”, i pyetur mbi protestën e opozitës së bashkuar.

Ja intervista e plotë:

Zoti kryeministër, opozita ka akuzuar qeverinë tuaj për korrupsion dhe paaftësi. Por cili është qëllimi i protestuesve?

Shqipëria është në procesin e modernizimit, ka ende probleme me korrupsionin. Për ta luftuar atë, nevojiten institucione solide, një sistem gjyqësor i besueshëm dhe shërbime të qëndrueshme. Qeveria ka nisur një ofensivë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo që dëshiron opozita është e vështirë të shpjegohet. Opozita nuk ka shanse të fitojë në zgjedhjet lokale në qershor: lidershipi do të donte të shmangte përgjegjësinë për humbjen.

Shkurtimisht, a ekziston një krizë institucionale në horizont?

Ne fituam zgjedhjet me një shumicë absolute, pasi u treguam të hapur ndaj opozitës duke i dhënë asaj përgjegjësinë e disa ministrive për periudhën e zgjedhjeve, përfshirë edhe drejtimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pavarësisht maxhorancës që kishim. Marrëveshja ishte që në fund fituesit do të qeverisnin dhe humbësit do të shkonin në opozitë pa e bërë Shqipërinë subjekt të propagandës së brendshme politike në median ndërkombëtare. Në vend të kësaj, protestat filluan menjëherë, por qeveria është e fortë, sondazhet e kanë konfirmuar këtë .

A besoni se ka edhe një referencë për reformën në drejtësi në irritimin  e Partisë Demokratike?

Procesi i reformimit të sistemit tonë gjyqësor është konsideruar si një model për të gjithë rajonin. Ne kemi trashëguar një sistem të dobët, tani jemi duke verifikuar integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe pothuajse 60 prej tyre janë larguar nga detyra .

Por, pse ky irritim duhet të luajë një rol në protesta?

Protestat e këtyre ditëve nuk janë reagim i njerëzve, por sulme të lidhura me një grup pushtetarësh  të dëbuar prej më shumë se pesë vjet më parë.

Si i gjykoni zërat që flasin për një rol të vendeve të tjera në protesta?

Ne nuk kemi fakte konkrete, por shumë të dhëna: Televizioni rus ka transmetuar drejtpërsëdrejti protestat, por nuk ka asgjë për t’u befasuar. Moska ndjek interesat e saj dhe Shqipëria brenda Bashkimit Europian nuk ndodhet në mesin e tyre.

Veritas.com.al/