Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Arben Kraja bëri me dije këtë të premte se çështja për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta është nën hetim.

 “Po vazhdojnë hetimet duke mbledhur prova”, është shprehur Kraja.

Ishte, ish-deputeti i Shqipërisë, Halit Valteri, i cili paraqiti pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK) prova për ish-presidentin Ilir Meta, ku dhe ka kërkuar arrestimin e tij.

“Kemi bërë dy kallëzime penale për grupin e koorporatës “Lëvizja Socialiste për Integrim”, ish-presidentit e Republikës dhe partinë e tij. Sot kemi ardhur të paraqesim në SPAK përsëri prova të reja ku ka kontrata të firmosura nga vetë Ilir Meta me kompaninë lobuese “Dutko”, ku e çon totalin e të gjithë pagesave të lobimit në 1.2 milionë dollarë të paguara nga taksat e shqiptarëve për të bërë pagesa lobimi në SHBA”.

Ai bëri me dije puna e SPAK ka ecur përpara, megjithëse “nuk jam i autorizuar të them se ku ka arritur”.

“Meta është nën hetim dhe së shpejti me provat e grumbulluara, shqiptarët do të kenë një ish president e ish kryeministër të arrestuar”.

Më 7 qershor, Valteri kallëzoi pranë SPAK-ut, Metën dhe bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.

Objekti i kësaj kërkese të Valterit ishte fillimi i procedimit penal dhe kryerja e hetimeve ndaj Metës e Kryemadhit, mbi bazën e disa veprave penale.

Të akuzuar, ndërkaq, ishin edhe dy shtetas të tjerë.

I pari ishte Vangjel Tavo, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

I dyti, një shtetas i huaj, Iraklis Fidetzis, administrator i kompanisë “Dorelita Limitied” me seli në Qipro.

Albanian Post e ka kontaktuar Halit Valterin, i cili ka pohuar lajmin dhe ka vënë në dispozicion të redaksisë edhe shkresën zyrtare të dërguar në SPAK. Sipas pretendimeve që formulohen aty, çifti Meta-Kryemadhi dhe Tavo e Fidetzis kanë fshehur të ardhurat, duke iu shmangur kështu detyrimeve tatimore.

Po ashtu, ka edhe akuza të formuluara për korrupsion pasiv dhe aktiv në sektorin privat, si dhe për shpërdorim detyre.

“Në bazë të fakteve të konstatuara, dokumente, sjellje, akte, të cilat do t’i përmend në vijim, ju paraqes këtë kallëzim penal, duke ju bërë prezent të gjitha shkeljet me natyrë penale, të cilat pretendoj se duhet të hetohen në mënyrë të thellë e të gjithanshme, pasi ngarkojnë me përgjegjësi të rëndë ligjore të natyrës penale personat që i kanë kryer dhe që unë i kallëzoj, të përfshirë në veprime të paligjshme, në kushtet kur kanë sjellë pasoja shumë rënda të interesit publik”, artikuloi Valteri në shkresë.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.