Sali Berisha, ish kryeminister ne 21 Janar 2011, në një deklaratë për mediat ka reaguar lidhur me publikimin e një transkript komunikimi në radio nga qeveria për protestën e 21 janarit 2011, ku flitej për gatishmëri për zjarr.
“Të komentoj manipulimet e Ardi Veliut… harrojeni. I takon mediave të thonë të vërtetën. Nuk mund të komentoj disa tabela shkrimi që shiten si audio përgjim”.
Berisha tha se është manipulim dhe falsifikim i ish-drejtorit të Policisë, Ardi Veliu.
“21 janari përbën një nga ngjarjet më tragjike, përpjekjet për një grusht shteti, marrje pushteti me dhunë. Komuniteti ndërkombëtar ka insistuar të hetohen organizatorët dhe autorët e dhunës. Edi Rama është personi kryesor, organizator”.
Një ditë më parë, mazhoranca njoftoi se ekspertët juristë pranë kësaj force politike kanë nisur hartimin e një kallëzimi tjetër penal drejtuar SPAK-ut për “21 janarin”.
Ky do të jetë kallëzimi i parë penal në Prokurorinë e Posaçme, pasi më 27 korrik të vitit të shkuar familjarët e viktimave dhe Qeveria i ka dërguar një kërkesë Prokurorisë së Tiranës.
Faktet e reja
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi një ditë më parë se gjendet një provë materiale që mbështet tërësisht deklarimet e ish-kryeministrit (Sali Berisha) dhe provon katërcipërisht se kush janë urdhëruesit dhe autorët e vërtetë të këtyre vrasjeve.
Ministri i referohej provës së re të një transkripti të komunikimit radio gjatë zhvillimit të protestës së 21 janarit 2011, ku flitej për gatishmëri për zjarr.
Kjo e fundit, u publikua të premten e 20 janarit në emisionin “Xhungël” nga gazetari investigativ Artan Hoxha.
“Partia Socialiste pret nga drejtësia e re, drejtësinë e munguar për 21 janarin. Ata vranë katër më të mirët ndër ne dhe vranë përfundimisht shpirtin e protestës qytetare në këtë vend”, u shpreh më tej Manja.
Zyrtari e konsideroi 21 janarin si një “krim shtetëror” dhe një “akt të pastër terrorist ndaj qytetarit”.
“Nuk ka asnjë justifikim, kushdo që përpiqet të justifikojë këtë krim shtetëror si krim pushteti kryen një krim të ri mbi drejtësinë”, shtoi Manja.
Ai ravijëzoi se ky “krim shtetëror i pandëshkuar vazhdon që t’iu bëjë karshillëk jo vetëm viktimave por vetë drejtësisë së re nën hundën e saj”.
Më herët, një fakt të tillë e pohoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kreu i qeverisë ndau disa foto nga homazhet e kryera të shtunën për protestën e 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër protestues të pafajshëm.
Sipas Ramës, e vërteta dihet botërisht dhe një fakt i ri sapo ka dalë në dritë.
“Homazhe në pritjen e pafundme që drejtësia të bëjë drejtësi, ndërkohë që e vërteta dihet botërisht dhe një fakt i ri rrënqethës sapo ka dalë në dritë”.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga Partia Socialiste protestuan para Kryeministrisë.
Protesta po zhvillohej kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion.
Asokohe, Garda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë.
Gjykata, më herët vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.
Familja e Aleks Nikës, më herët njoftoi se, ka dërguar çështjen në Strasburg, me shpresën se Gjykata Evropiane do të japë drejtësi.
Rihapja e dosjes
Ka qenë policia e Tiranës, e cila më 21 janar 2021, në 10-vjetorin e ngjarjes, ka kërkuar rihapjen e hetimeve për çështjen e “21 janarit”.
Kjo nëpërmjet një letër-kërkese drejtuar Prokurorisë.
Në letër u kërkua ri-ekspertim hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes gjatë vrasjes së Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, si dhe plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.
Gjithashtu, aty shkruhet se duhet ri-ekspertim i plumbit të gjetur në trupin e Aleks Nikës dhe të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gardës që ishin në shërbim më 21 janar.