Dashurisë së 1 prillit 2013 i ka mbetur vetëm ajo që në fakt ishte në thelb arsyeja e ngjizjes së saj: pushteti! Pas tri vitesh “martese”, që do të sillte Rilindjen e Shqipërisë, Edi Rama e Ilir Meta nuk flasin më për programe e filozofi të ngjashme, në mos të njëjta, të “dy partive që përbëjnë një forcë të vetme që udhëheq Shqipërinë në drejtimin e duhur për transformimin e madh”, siç shprehej në fushatë elektorale Rama, kur i nevojiteshin votat e aleatit.

Ky ishte edhe morali mbi të cilin, miqtë e vjetër, që ishin armiqësuar jo pak herë në rrjedhën e viteve për shkak të thikave pas shpine që i kishin ngulur njëri- tjetrit, e ngritën koalicionin që i solli në pushtet me një fitore dërrmuese ndaj kundërshtarit.

Ky moral tani ka rënë.

Tre vjet pas shtrëngimit të duarve me bekimin e Partive Socialiste Europiane, ata as nuk e përmendin më njëri- tjetrin, përveç rasteve të sforcuara apo ironike; nuk e dëgjojnë më dot njëri- tjetrin (Meta u largua nga salla gjatë fjalimit të mbrëmshëm të Ramës dhe u kthye sapo ai mbaroi) dhe ajo qe vlen për t’u theksuar më shumë: ata kanë humbur edhe atë besim të paktë që kishin se së bashku mund ta çonin deri në fund një mandat.

Skepticizmi ishte gjithnjë e më shumë në rritje se 2017-ta nuk do t’i gjente bashkë. Akuzat për minim të zgjedhjeve vendore, lufta ndaj Metës me aferën CEZ- DIA (e nisur nga një deklaratë e avokatëve që kishte paguar shteti shqiptar), kërkesa e Metës për të kontrolluar në parlament koncesionet “e dyshimta” dhe shumë të përfolura të Ramës, arrestimi i disa drejtorëve të LSI që në partinë e Metës perceptohej si seliktivitet në luftën kundër korrupsionit dhe goditje me porosi, po e bënin bashkëjetesën e tyre të sforcuar.

Reforma në Drejtësi i pozicionoi edhe më qartë Ramën e Metën në llogore kundështarësh.

Përplasjet e ashpra, pozicionimi i qartë i Metës kundër Ramës dhe pro Bashës, kërcënimi i tij për rrëzimin e qeverisë dhe formimin e një qeverie teknike pa Edi Ramën, për ta çuar vendin në zgjedhje për shkak të mosbesimit që opozita dhe ai vetë kanë te Rama dhe frikës se Rama e donte reformën për të futur në burg atë apo Berishën, u zbuluan dy aleatëve thikat e fshehura nën mëngët e duarve që nuk ia zgjatën njëri- tjetrit as kur reforma u miratua, edhe pse ky ishte një vendimi historik i marrë nën qeverisjen e tyre.

Edi Rama dhe Ilir Meta u zgjuan si aleatë edhe pas kësaj beteje që zbuloi se në ç’anë ishte “armiku”. Por pas kësaj, ata kanë mbetur aleatë vetëm në letra, për llogari të pastra politike e elektorale. /Marre nga Lapsi.al/