Aty ku e nisën, aty edhe përmbyllën fushatën elektorale socialistët e Tiranës, pikërisht në sheshin ‘Skënderbej’. Mandatin e tretë, kryeministri Edi Rama tha se duhet për Shqipërinë që ngjarja e Elbasanit, ku një person i pafajshëm i vra nga grupet e armatosura të PD-së, të jetë e para dhe e fundit.
Duke i quajtur “autokolonat e armatosura”, Rama tha se ajo është e shkuara që nuk duhet të rikthehet më. 25 prillin, ai e quajti ditën kur shqiptarët do të ndahen nga “demoni Berisha” dhe do të çojnë në shtëpi Ilir Metën, për të cilin është turpi i gjithë shqiptarëve. Për Bashën, Rama u tregua më i butë, duke thënë se nuk është gjë tjetër veçse korrier i së shkuarës, edhe pse në pamje duket europian. Përtej këtyre tre figurave, që për Ramën personifikojnë historinë e së kaluarës, kreu i qeverisë tha se PS-ja është e ardhmja e vendit dhe prandaj të dielën duhet votuar numri 12.
Ngjarja e Elbasanit, shtoi Rama, i nxorri “zhveshur” demokratët, pasi vetëm pas këtij momenti ato zbuluan se kanë ngritur një grup të armatosur për të “mbrojtur votën”. E përballë kësaj, numri një i socialistëve, tha se është momenti për t’u ndjerë më shumë se kurrë krenarë për patronazhistët që theksoi se nuk bëjnë gjë tjetër veçse dinë çdo hall të qytetarëve.
VERITAS.COM.AL