Kur kanë mbetur edhe votat e fundit për t’u numëruar, Partia Socialiste po bëhet gati të festojë sot për fitoren historike.
Në Facebook, kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto ku duket i buzëqeshur, ndërsa shkruan se socialistët do të mblidhen në orën 18:00 në Sheshin Skënderbej, për “përqafimin e fitores”, duke ftuar t’i bashkohen të gjithë ata që do të duan të festojnë me PS-në këtë fitore.
“Sot në 18.00, në Sheshin Skënderbej, skuadra kampione e patronazhistëve, koordinatorëve, drejtuesve, deputetëve dhe kush të dojë të na bashkohet për përqafimin e fitores”, shkruan Rama.
PS ka marrë deri më tani 73 mandate, duke u bërë partia e parë në vend që do të qeverisë për tre mandate radhazi.
PD ka njohur një rritje krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ku deri më tani ka marrë 59 ulëse në Kuvendin e ri krahasuar me 46 që ka pasur në 2017. Ndërkohë LSI ka patur një humbje të madhe, ku ka arritur që të marr vetëm 5 mandate nga 19 që ka pasur në zgjedhjet e kaluara.
VERITAS.COM.AL