Një ditë pas lirimit të  Alket Hatija, ka ardhur reagimi i Gjykatës së Durrësi:

Kërkesa e Prokurorisë së Durrësit për  caktimin e masës së sigurimit personal atë të “arrestit në burg” për ekstradimin e tij në Itali”, i ka kaluar për shqyrtim gjyqtarit Petraq Çuri, gjyqtar i gatshëm në këtë datë, i cili ka zhvilluar seancën gjyqësore për shqyrtimin e kërkesës në datën 11.07.2017, ora 09:30.

Në përfundim të gjykimin Gjykata ka vendosur të mos miratojë arrestimin e shtetasit Alket Hatija dhe ka vendosur caktimin e masës së sigurimit të “Detyrimit për paraqitje para policisë gjyqësore”, të hënën e parë e të tretë të çdo muaji për këtë shtetas.

Gjykata e Durrësit thotë se: ‘Kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për efekt të ekstradimit bazohej në kërkimin e Interpol Romës, të Qershorit të vitit 2017, me të cilën shtetasi Alket Hatija kërkohej për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor të dhënë nga Gjykata e Milanos, sipas të cilit ishte dënuar me 20 vjet burgim për vepra të ndryshme penale.

Gjykata e ka gjetur të pabazuar këtë kërkesë të akuzës, pasi kërkesa e Prokurorisë  nuk shoqërohej me kërkesën – sipas ligjit- të Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasin Alket Hatija për efekt të ekstradimit, kërkesë kjo e cila është kusht për caktimin e masave shtrënguese për efekt të ekstradimit sipas parashikimeve të neneve 493 e 494 të Kodi të Procedurës Penale.

Veritas.com.al/